EUROSTAT zhgënjen shqiptarët me shifrat zyrtare: Mbi gjysma e popullsisë nuk di asnjë gjuhë të huaj

EUROSTAT zhgënjen shqiptarët me shifrat zyrtare: Mbi gjysma e popullsisë nuk di asnjë gjuhë të huaj
Gati gjysma e popullsisë së Shqipërisë jeton dhe punon prej vitesh në vende të ndryshme të Europës dhe medoemos kanë mësuar të flasin greqisht, italisht, gjermanisht, anglisht apo frëngjisht e shumë gjuhë të tjera.

Shumë prej atyre që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, pa llogaritur shkollat që duhet thënë se lënë shumë për të dëshiruar krahasuar me vendet e tjera, edhe përmes televizionit apo vullnetit, kanë mësuar një apo më shumë gjuhë të huaja.

Jetojmë në një kohë kur jo vetëm të rinjtë që duan të ikin, por edhe të moshuarit po mësojnë gjermanisht për të komunikuar me fëmijët që kanë emigruar.

Mirëpo edhe perceptimi që ekzistonte se shqiptarët janë shumë të zgjuar përsa i përket gjuhëve të huaja, u rrëzua nga EUROSTAT-i, pasi ka nxjerrë një rezultat tepër zhgënjyes.

Sipas Institutit Europian të Statistikave, 60 % e shqiptarëve nuk dinë asnjë gjuhë të huaj.

“Nuk është e vërtetë. Shqiptarët i kapin shumë shpejt gjuhët e huaja. Ne jemi të zotët”, thotë një qytetar.

“Ne nuk dimë mirë shqipen”, thotë një zotëri, “jo më të dimë gjuhë të huaja”.

“Unë di rusisht”, thotë një tjetër, “Dasvidanja (Mirupafshim)”.

“Unë di anglisht dhe japonisht”, thotë një vajzë e re.

“Mendoj se statistikat janë të vërteta, pasi gjuhët e huaja po i mësojnë vetëm të rinjtë”, thotë një tjetër.

Shqipëria ka një nga përqindjet më të larta në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe vendet kandidate për t’u anëtarësuar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat rezultoi se 35% e qytetarëve të BE-së nuk dinë asnjë gjuhë të huaj.

Megjithatë rekordin e mban Turqia, ku sipas Eurostat rreth 82% e popullsisë nuk di asnjë gjuhë tjetër përveç turqishtes.

Sipas studimit, Eurostat nuk bazohet vetëm tek e folura, çka ngatërron shumë shqiptarë që pretendojnë se dinë gjuhë të huaja. Në fakt, ka kritika të shumta se edhe ata që mbarojnë Arsimin e Lartë në Shqipëri, nuk e dinë mirë Gjuhën Shqipe, çka i bën të besueshme statistikat e fundit./Afp.al

loading...
loading...