Durrës/ "Elektronika" çon në pranga hajdutin e disa vjedhjeve

Durrës/ "Elektronika" çon në pranga hajdutin e disa vjedhjeve
Finalizohet me sukses operacioni i koduar "Elektronika" në Durrës.

Policia tha se në pranga u vu një 39-vjeçar, i dyshuar si autor i një sërë vjedhjesh, kryesisht të pajisjeve elektronike, në qytetin bregdetar.

Sipas policisë, janë dokumentuar disa vjedhje  të ndodhura në qytetin e Durrësit, nga ana e tij.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës së tyre për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve që kanë kryer vepra penale në fushën e pasurisë, kryesisht në ambientet e institucioneve të ndryshme shtetërore, në bazë dhe të informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë organizuar punën duke finalizuar me sukses operacionin e koduar "Elektronika".

Pas hetimeve të kryera dhe provave të grumbulluara kanë arrestuar shtetasin E. G., 39 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale "Vjedhja", person i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale dhe përsëritës në vjedhjen e institucioneve shtetërore, i cili ishte shpallur në kërkim.

Shtetasi i mësipërm, muajt e fundit pasi ka dalë nga burgu, dyshohet si autor i vjedhjeve si më poshtë:

Më datë 07.10.2019, në lagjen Nr. 6 dyshohet se në kopshtin "Met Hasa" ka vjedhur një laptop, magnetofon dhe pajisje zëri.

Më datë 05.10.2019, në lagjen Nr. 3 dyshohet se ka vjedhur zyrat e Laboratorit të Akuakulturës dhe Peshkimit në Durrës, ku ka marrë një monitor kompjuteri, GPS dhe një video projektor.

Më date 20.09.2019, më lagjen Nr. 14 në oborrin e shkollës 9-Vjeçare "Hasan Koçi" dyshohet  se ka vjedhur kabllo elektrike.

Më datë 16.09.2019, në lagjen Nr. 12 dyshohet se ka vjedhur Zyrat e Njësisë Administrative.

Më datë 14.05.2019, në lagjen Nr. 6 dyshohet se ka tentuar të vjedhë në "Dispaçerinë  e Sëmundjeve të Mushkërive".

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një laptop dhe qendër zëri.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme./Afp.al

loading...
loading...