A ka më agronomë vendi ynë? Qepët e Korçës përfundojnë në kanal, fermerët: Fara e skaduar!

A ka më agronomë vendi ynë? Qepët e Korçës përfundojnë në kanal, fermerët: Fara e skaduar!
Kultivuesit e qepës në fushën e Korçës thonë se kanë hedhur deri tani me dhjetëra kuintal në kanale.

Prodhimi i tyre nisi të kalbej, kur e mblodhën nga ara.

Për këtë gjendje të pazakontë ata fajësojnë farat, sepse sipas tyre ishin të skaduara.

Në fakt, kjo nxjerr edhe problematikën e vëmendjes së shtetit karshi tyre. Normalisht çdo rreth dhe çdo qark i vendit ka nga një drejtori bujqësie, sikurse vendi ynë ka edhe një ministri përkatëse. Mirëpo vendin e agronomëve në zyrat e shtetit ka vite që e kanë zënë militantë partish nga të gjitha krahët me apo pa shkollë, shumica e të cilëve nuk kanë asnjë lidhje me këtë sektor të rëndësishëm.

Prandaj edhe më kot fshatarët e zonës kërkojnë më shumë kontrolle nga institucionet e bujqësisë.

Një fermer thotë se kjo situatë nuk i ka ndodhur asnjëherë në 13 vite që ai kultivon qepën.

"Si këtë vit nuk ka ndodhur asnjëherë. E ka fara brenda".

"Që kur jam djegur nga kjo punë, i flaka dy vjet rresht nuk merrem më me këtë punë. Jam betuar dhe as për të ngrënë nuk kam mbjellë", theksoi një fermer tjetër.

Më të njëjtën problematike në Korçë u përballën edhe fermerët që kultivuan patate, që u dëmtua nga krimbi i zi.

Fermerët thonë se këtë vit janë të humbur dhe do të duhet të marrin kredi për të paguar punëtorët, pasi shitjet nuk i mbulojnë shpenzimet.

"Kam hedhur 20 milion lekë, unë nuk marr dot lekët që të shlyej punëtorët. Tani do marr kredi në bankë që të paguaj punëtorët", tha njëri prej tyre.

Kalbja apo hedhja e mollëve, një fryt që prodhohet masivisht në Korçë është bërë fenomen i njohur vitet e fundit. Për mollët kjo ndodh kryesisht nga fakti se ato nuk gjejnë treg, ndryshe nga perimet, si qepa dhe patatja./Afp.al

loading...
loading...