Për ata që “u sollën keq” para dhe gjatë zgjedhjeve vjen paralajmërimi i Braçes: Do të pushohen nga puna!

Për ata që “u sollën keq” para dhe gjatë zgjedhjeve vjen paralajmërimi i Braçes: Do të pushohen nga puna!
Në një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të Ligjeve, Zv/kryeministri Erion Braçe raportoi mbi sjelljen dhe veprimtarinë e administratës shtetërore gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai paralajmëroi masa ndëshkuese ndaj atyre që “u sollën keq”, sidomos ata punonjës të cilët u bashkuan me protestat e dhunshme të opozitës.

“Janë marrë masat për nisjen e procesit disiplinor deri në largim nga administrata publike të nëpunësve që u përfshinë në akte të dhunshme gjatë fushatës zgjedhore”, deklaroi sot zv/kryeministri Erion Braçe.

Braçe tha se në zbatim të ligjit u krijua një taskforce e cila kishte si qëllim kryesor garantimin e e mospërfshirjes në administratës publike në procesin zgjedhor.

Në zbatim të detyrimeve ligjore, numri dy i qeverisë pranoi se është monitoruar përdorimi i burimeve njerëzore, financiare apo logjistike të administratës gjatë procesit zgjedhor.

“Gjatë orarit zyrtar të punës është e ndalur pjesëmarrja në veprimtari politike, në fushatë zgjedhore ose parti politike. U monitorua po ashtu veprimtaria e nxënësve gjatë orarit mësimor dhe nuk rezultoi asnjë rast i përfshirjes së tyre në fushatë elektorale”, tha Braçe.

Braçe tha se “jemi në fazën e mbledhjes së të dhënave për hartimin e raportit përfundimtar i cili do të përfshijë gjithë periudhën zgjedhore”.

Ai tha se “mirëpresim raportimin e rasteve kur këta nëpunës të administratës civile janë përfshirë në akte gjatë procesit të administrimit zgjedhor të ndaluara nga ligji dhe pa asnjë diskutim do t’i largojmë nga shërbimi civil”, çka do të thotë se po punohet për të marrë masa disiplinore ndaj atyre që sipas Braçes braktisën detyrën dhe punën, për partinë.

Braçe nuk përmendi nëse edhe administrata e pushtetit lokal, më konkretisht administrata e bashkive të djathta, do t’i nënshtrohet këtyre masave.

loading...
loading...