Letër ambasadave Perëndimore, propozimi i Ademit: Shkodra iu dorëzohet vetëm ndërkombëtareve

Letër ambasadave Perëndimore, propozimi i Ademit: Shkodra iu dorëzohet vetëm ndërkombëtareve
Dy vjet pas shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1014, për shkak të probleme të brendshme, pas copëtimit të saj, Shqipëria u qeveris për disa muaj nga qeveri ndërkombëtare e kryesuar nga Princ Vidi.

Pas zgjedhjeve apo votimeve të 30 qershorit, normalisht kryebashkiakët në detyrë që nuk konkurruan, pra përfaqësuesit e partive kryesore opozitare jashtë Kuvendit, më 10 gusht duhet të lirojnë zyrën për t’i dorëzuar postin kandidatit fitues.

Por përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në votimet e 30 qershorit, pasi deklaruan se do të zbatonin dekretin e presidentit Ilir Meta, që i anuloi ato.

PS-ja falë maxhorancës në Kuvend dekretin e cilësoi të pavlefshëm, dhe u fut në zgjedhjet e 30 qershorit duke fituar 60 bashki nga 61 të mundshme.

Në këtë situatë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, kërkon që drejtimin e bashkive pas procesit të 30 qershorit ta marrin komisione administrative ndërkombëtare deri në mbajtjen e zgjedhjeve, sipas saj normale dhe të vërteta. Në një letër drejtuar selive diplomatike në vendin tonë, Ademi thotë se “detyrën mund do t’ia dorëzojë vetëm ndërkombëtarëve dhe madje për këtë i fton ata në tryezë.

Voltana Ademi e bën të qartë se detyrën si kryebashkiake e Shkodrës nuk do t’ja dorëzojë socialistit  të zgjedhur, Valdrin Pjetri, pas votimeve të 30 qershorit.

Ademi thotë se nuk mund t’ia lërë qytetin në dorë një njeriu të zgjedhur nga vetëm 8 % e votave, duke në atë që e cilëson diktaturë e pakicës së pakicës.

Ademi paralajmëron se, pas 30 qershorit,  pushteti vendor në Shqipëri rrezikon të shndërrohet thjesht në “një zvarranik të qeverisë qendrore”.

Në cilësinë e kryetares së Shoqatës së Bashkive, ajo e fton faktorin ndërkombëtarë në tryezë me shpresën që do të bëhen garant i vullnetit qytetar.

Edhe bashkitë që qeverisen nga përfaqësues të PD-së e LSI janë shprehur se nuk kanë ndërmend të dorëzojnë çelësat, pa garë apo pa zgjedhje.

“ Kjo situatë do të eliminojë pluralizmin politik jo vetëm në drejtimin ekzekutiv të bashkive me 61 kryetarët, por akoma më keq, kjo situatë sjell 61 këshilla, që në të gjithë rastet nuk do të përfaqësojnë qytetarët, ata do të funksionojnë pa kundërshtim konstruktiv e opozitë”, është shprehur Voltana Ademi në letrën e saj.

Letra e plotë e Voltana Ademit:

E nderuara Znj. Leyla Moses-Ones, e Ngarkuara me Punë pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë,

I nderuar Sh.T.Z. Luigi Soreca, Ambasador i Bashkimit Evropian,

I nderuar Sh.T.Z. Bernd Borchardt, Ambasador i Prezencës së OSBE në Tiranë;

E nderuara  Sh.S.Znj.  Susanne Schütz, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë,

I nderuar Sh.T.Z. Duncan Norman MBE, Ambasador i Mbretësisë së Bashkuar

I nderuar Sh.T.Z. Alberto Cutillo, Ambasador i Republikës së Italisë

I nderuar Sh.T.Z. Dr. Johann Sattler, Ambasador i Austrisë

I nderuar Sh.T.Z. Adrian Maître, Ambasador i Zvicrës,

Një shqetësim i madh qytetar, intelektual e politik më shtrëngon dhe detyron t’ Ju shkruaj Shkëlqesi të nderuar, Miq të paepur të vendit tim, përfaqësues të demokracive që ne kemi ëndërruar dhe ndjekim si model për vendin tonë!  Sot ne qytetin e Shkodrës dhe jo vetëm, ekziston një trysni dhe ankth i madh!  Me 30 qershor në metropolin e Veriut, qendër e rezistencës antikomuniste, qendër e së Djathtës historike e aktuale, jo vetëm nuk pati zgjedhje lokale por as votime! Qytetarët iu bindën logjikës piramidale të shtetit, ku në krye të tij rri Presidenti i Republikës, institucioni që nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve! Sipas dekretit të tij ato zhvillohen me datë13 tetor!  Qeveria vendosi dhunshëm të konsumojë farsën e 30 qershorit, duke rrëzuar dekretin e Presidentit, fakt ky që u pohua zyrtarisht e qartë nga OSBE/ODIHR që në raportin paraprak! Në votime në Shkodër, sipas kësaj organizate dolën 8% e qytetarëve me të drejtë vote! Mbi shumë prej tyre, pati presione të çdo lloj forme që të paraqiteshin për të votuar, duke shkelur çdo princip të lirive të individit!  Me modesti pohoj se, në dijet e mia, demokraci do të thotë vullnet i shumicës!

Shumica në Shkodër në veçanti dhe në Shqipëri në përgjithësi, ka folur qartë, duke bojkotuar procesin monist të Qeverisë! Kjo shumicë nuk u bë e mundur as për të votuar e jo më për të zgjedhur!

Të nderuar Ambasadorë,

Të ashtuquajturat votime, të zhvilluara në kushte ilegjitime, ishin shumë larg standardeve të një cikli kushtetues elektoral. Në kuadrin rregullues ligjor, paqartësitë e interpretimet arbitrare, sollën përplasje të forta institucionale, çka na vunë ne kryetarëve të Bashkive në pozita të vështira lidhur me përgjegjësitë përfaqësuese e administrative. Është e pafalshme që edhe më 30 qershor, makineria qeveritare abuzoi me shpërndarjen e pushtetit në bashki apo me agjencitë qeveritare në nivel vendor për të siguruar rritjen e numrit të votuesve. Makineria qeveritare, përmes sistemit të kolauduar piramidal kriminal, bëri presion, ushtroi dhunë, pagoi ryshfet e para, e angazhoi pa rezervë të inkriminuar e njerëz me precedentë penal.  Fatkeqësisht, gjatë asaj ditë të kobshme, ky presion u shtri dhe më tej, jo vetëm tek administrata lokale por dhe tek çdo njeri me të drejtë vote, deri tek përfituesit e ndihmës ekonomike, invalidët apo çdo grup tjetër që merr një ndihmë shumë të merituar nga Bashkia. Veprimet e ndjekura nga qeveria ishin arbitrare, duke iu shmangur proçedurave ligjore, veprime të përçudnueme e me kokëfortësinë drejt marrëzisë së grabitjes  me dhunë e manipulim të vullnetit e pushtetit të njerëzve. Veç për një proçes elektoral europian nuk bëhej fjalë!

Të nderuar ambasadorë!

Pas 20 viteve të ratifikimit të Kartës Europiane për Qeverisjen Vendore në Shqipëri, pas përpjekjeve të shumta të të zgjedhurve vendorë, përmes mbështetjes së vazhdueshme e të çmueshme nga ana juaj për konsolidimin e parimeve të subsidiaritetit, pas 30 qershorit, pushteti vendor në Shqipëri rrezikon të shndërrohet thjesht në një zvarranik të qeverisë qendore. Rrezikohet të eliminohet përfundimisht mendimi ndryshe, vizioni ndryshe, pjesëmarrja e aktivizimi qytetar, duke u sheshuar një herë e përgjithmonë sfida e ëndrra për zhvillim që buron vetëm e nga vetë njerëzit!

 Kjo situatë do të eliminojë pluralizmin politik jo vetëm në drejtimin ekzekutiv të bashkive me 61 kryetarët, por akoma më keq, kjo situatë sjell 61 këshilla, që në të gjithë rastet nuk do të përfaqësojnë qytetarët, ata do të funksionojnë pa kundërshtim konstruktiv e opozitë! Ky sistem, pa asnjë mëdyshje, do të krijojë premisat për arbitraritet dhe abuzim me fuqinë e tepërt. E do të kemi parlamente vendore njëpartiake, të të njëjtës parti me Kryetarin, duke rrezikuar mekanizmat e “check and balance” në bashki, duke cënuar rolin vendimmarrës në interes publik.

Situata aktuale e ajo që, larg qoftë mund të ndodhë, është vite larg vizionit të demokracisë vendore të sanksionuar në Kushtetutë!

Të nderuar Ambasadorë,

Kthehem me trishtim të thellë tek realiteti në qytetin tim, i cili nuk e pranon dot manipulimin, dhunën e imponimit kriminal e politik për t’i emëruar nga lart kryetarin e Bashkisë! Qytetarët shkodranë kanë sakrifikuar shumë për demokraci e pluralizëm duke çuar në altarin e kombit dëshmorët e vet! Ata nuk e pranojnë kthimin pas në një neodiktaurë! Ata e dinë mirë, e në të drejtën e tyre është një proces i lirë dhe i ndershëm elektoral, ku për votën e tyre, vendos vullneti i lirë dhe jo kërcënimi i krimit të organizuar! Shkodra nuk e pranon komisarin politik të Kryeministrit! Ne si qytet, jemi përballur me totalitarizmin dhe dialektika na ka dhënë të drejtë, ka fituar demokracia!  Sot, në 2019- ën nuk mund t’ia dorëzojmë atë as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8%- ësh! Në vitet 1913 -1914 dhe 1918-1920 ky qytet me rëndësi vitale për të gjithë kombin, është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën!

Ndaj ju drejtohem Ju, në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojmë një komision Administrativ Europian, besimplotë tek vullneti i tyre demokratik, derisa të shkohet në zgjedhje të vërteta, sesa të biem nën diktaturën e pakicës së pakicës votuese! Për ketë, në emër të shoqatës së Bashkive të Shqipërisë ju kërkoj publikisht Ju, të takohemi për të biseduar mbi këtë situatë të pazakontë, me shpresën që do të bëheni garant i vullnetit qytetar!

Duke ju falenderuar për gjithçka keni bërë e bëni për vendin tim

loading...
loading...