KQZ rrëzon “Bindjen” e Patozit, Zguri kërkon hapjen e kutive, Biba: A ka prova, ne nuk jemi institut kërkimor!

KQZ rrëzon “Bindjen” e Patozit, Zguri kërkon hapjen e kutive, Biba: A ka prova, ne nuk jemi institut kërkimor!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi  kërkesat ankimore të Partisë Bindja Demokratike, për zgjedhjet e 30 qershorit.

Partia e drejtuar nga Astrit Patozi u ankua fillimisht, për parregullsi por KQZ i kërkoi argumente shtesë mbi pretendimet dhe pasi i mori ato në shqyrtim i rrëzoi  gjatë mbledhjes së sotme.

Kreu i KQZ, Klement Zguri tha se, “kërkesat ankimore në raport me provat kanë një fare anemie. Por në kushtet kur jemi do kisha një propozim që të votojmë për të hapur disa nga kutitë e votimit që subjekti në fjalë pretendon. Pra të bëjmë një sondazh me disa nga kutitë e votimit. Ky është propozimi im”.

Mirëpo propozimit të Zgurit, zv/kryetari i KQZ, Denar Biba tha se, “Në një hetim administrativ kërkohen prova. Mund të na thoni një qendër ku e keni evidentuar këtë shkelje? I kërkova subjektit ankimues të na jepte një provë qoftë dhe për një qendër votimi, sikur ne të jemi institut kërkimor që po doli gjë mirë, po doli jo”

Biba pyeti përfaqësuesin e Bindjes Demokratike nëse kjo parti ka pasur vëzhgues për çdo qendër votimi pasi rezulton se vëzhguesit e tyre kanë qenë më pak sesa qendrat e votimit, ndërsa për komisionerë as bëhet fjalë.

“Ankuesi duhet të tregojë pavlefshmërinë në çdo qendër votimi me procesverbale. S’ka pasur komisionerë, por ka pasur vëzhgues. Dhe detyrat e vëzhguesve dhe anëtarëve janë pothuajse të njëjta. Vëzhguesit duhet të paraqesin vërejtjet me shkrim për çdo parregullsi që vërejnë”, tha Eridjan Salianji, përfaqësues i PS në KQZ.

Bindja Demokratike kërkonte pavlefshmëri në të gjitha zonat. “Por Kodi Zgjedhor, kërkon pavlefshmëri të qendrave të caktuara të votimit dhe më pas nëse ka pasur pavlefshmëri në një qendër votimi mund të kërkosh pavlefshmëri në të gjithë bashkinë” argumentoi Salianji.

Ai tha se për të shkuar tek hapja e kutive të votimit, duhet që të paktën njëri nga vëzhguesit e Bindjes Demokratike të kishte bërë një ankimim ditën e zgjedhjeve për  parregullsi që pretendon se kishte konstatuar gjatë procesit.

Fabian Topollaj, përfaqësuesi i Bindjes Demokratike në KQZ lidhur me argumentin e PS-së, “se ne nuk kemi prova”, shtoi se “në mënyrë të padrejtë nuk na është lënë të kemi komisionerë dhe numërues. Nuk na është shqyrtuar fare kjo kërkesë në mënyrë abuzive”.

“Sot kërkohen prova nga vëzhguesit. Por vëzhguesit nuk sjellin dot prova, sepse nuk kanë pasur mundësi të shkruajnë as vërejtjet e tyre në procesverbalet e qendrave të votimit apo në grupet e numërimit”, theksoi ai.

loading...
loading...