KLP prezanton listën me 15 kandidatët për SPAK

KLP prezanton listën me 15 kandidatët për SPAK
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përzgjedhur 15 emrat e prokurorëve, të cilët do të vijojnë garën për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Por, më shumë se sa emrat e përzgjedhur, vëmendjen e kanë marrë ata prokurorë të cilët janë përjashtuar nga kjo garë dhe që në opinionin publik janë bërë të njohur kohët e fundit për shkak të dosjeve të rëndësishme që kanë në duar.

Pas marrjes së intervistave në prani edhe të organizatës ndërkombëtare të Monitorimit, KLP ka vendosur të përjashtojë nga gara drejtuesen aktuale të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, si dhe ish-kreun e kësaj Prokurorie, Besnik Hajdarmataj. Po ashtu KLP ka përjashtuar edhe dy prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, të cilët njihen si prokurorët e dosjeve “të nxehta”, siç është ajo e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ajo e përgjimeve për blerjen e votave në Durrës, dhe Dibër dosja “339”.

Sipas KLP garën për në strukturën më të rëndësishme të hetimit të zyrtarëve të Lartë do ta vazhdojnë : Altin Dumani, Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Arben Kraja, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini, Ndini Tavani, Behar Dibra, Anita Jella dhe Besnik Muçi. Kreu i Këshilllit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ka bërë me dije se pasi të kalojnë shkallët e vetingut kandidatët fitues do të emërohen në detyrë.

Struktura e SPAK do të përbëhet nga 15 prokurorë, por ajo mund të nisë punën edhe me numrin minimal të fituesve. Mjaftojnë 5 prokurorë që struktura më e rëndësishme e hetimit të korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë të vihet në funksion.

Informacioni zyrtar i KLP

Në finale të një procesi i cili zgjati plot shtatë muaj, Këshilli i Lartë i  Prokurorisë, përzgjodhi 15 pretendentët për në prokurorinë e posaçme, ata të cilët i konsideroi më të mirët profesionalisht për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Për të bërë pikëzimin dhe renditjen e garuesve për në strukturën e posaçme  “qeveria e prokurorëve” u bazua më së shumti në disa kritere thelbësore, të cilat i bëri të ditura Sandër Beci, relator i Komisionit të Posacëm.

Emrat janë listuar, jo më sipas rendit alfabetik, sic ndodhi në nisje të procesit, por sipas aftësive profesionale dhe kontributit që secili prej kandidatëve ka dhënë në sistemin e drejtësisë.

Listën e me të mirëve, e kryesojnë Altin Dumani, Anton Martini dhe Elisabeta Imeraj, të cilët gjatë karrierës së tyre kanë hetuar cështje mjaft të rëndësishme, sic janë grupe të organizuara kriminale, apo vepra penale të korrupsionit. Ndërsa vijon me Edvin Kondilin, Doloreza Musabelliun apo Klodian Brahon, për t’u përmbyllur me Besnik Mucin.

Gjatë procesit të vlerësimit, krahas dosjeve të përzgjedhura nga vetë kandidatët, Këshilli ka marrë në konsideratë edhe të dhënat nga raportimet mediatike, apo nga burime të tjera të hapura.

Shtatë prokurorët e tjerë në garë, mes tyre edhe emra të shumëpërfolur, nuk mund të pretendojnë të paktën për momentin një karrige në SPAK.

Megjithëse njëzëri të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e konsideruan si moment historik renditjen e kandidatëve,, në fakt do të duhet ende kohë që SPAK të fillojë nga puna, përderisa do të duhet të përfundojë procesi i vettingut për secilin pretendent.

I vetmi që e ka kaluar me sukses të plotë testin e vettingut, është Arben Kraja nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa Besnik Muci i Krimeve të Rënda, pret të përballet me Kolegjin e Posacëm të Apelimit.

Referuar listës, shtatë kandidatë presin të përballen me shkallën e parë të vettingut, ndërsa gjashtë të tjerë janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur I Kualifikimit, por ende nuk dihet nëse Komisioneri Publik, do të ushtrojë ankim ndaj këtyre vendimeve.

  • 1.Altin Dumani
  • 2.Anton Martini
  • 3.Elisabeta Imeraj
  • 4.Arben Kraja
  • 5.Doloreza Musabelliu
  • 6.Klodian Braho
  • 7.Enkeleda Millonaj
  • 8. Manjola Kajana
  • 9. Edvin Kondili
  • 10. Ened Nakuçi
  • 11. Elida Kaçkini
  • 12.Ndini Tavani
  • 13. Behar Dibra
  • 14.Anita Jella
  • 15.Besnik Muçi
loading...
loading...