Basha: Shumica absolute e shqiptarëve e bindur për largimin e Ramës, qeveria e ardhshme çel negociatat me BE-në

Basha: Shumica absolute e shqiptarëve e bindur për largimin e Ramës, qeveria e ardhshme çel negociatat me BE-në
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se shumica absolute e shqiptarëve është e vendosur dhe e bindur për largimin e Kryeministrit Edi Rama.

Pas protestës së 8 korrikut, në një postim në Facebook, Basha shton se në betejën për largimin e Edi Ramës dhe regjimit të tij, çdo shqiptar duhet ta dijë se Partia Demokratike, opozita e bashkuar e ka dëgjuar dhe do ti prijë aspiratës tuaj për ndryshim.

Ndryshimi, sipas tij, do të jetë çështje veprash dhe garancish.

“Së bashku ne do ta kthejmë këtë mazhorancë absolute të refuzimit të regjimit, mazhorancë absolute “Rama ik”, në mazhorancën kombëtare të ndryshimit të madh për çdo shqiptar.”

“Zgjedhjet e lira e të ndershme do t’i hapin rrugën transformimit politik dhe ekonomik që ka nevojë Shqipëria, ndryshimit që kërkojnë shqiptarët.”

Qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet e lira, do të hapë menjëherë negociatat me Bashkimin Europian, premtoi Basha:

“Rruga e përparimit, kërkon një ekonomi të lirë dhe konkurrencë të ndershme. Lufta kundër monopoleve, lufta kundër klientelizmit, lufta kundër kapjes së ekonomisë, lufta kundër varfërisë do të jetë sfida jonë më e vështirë.”

“Shqipëria ka aq shumë pasuri dhe mundësi natyrore, sa shqiptarët mund të jetojnë të gjithë në kamje. Ata duan vetëm lirinë, vetëm konkurrencën e ndershme, që të prodhojnë dhe krijojnë me mundin dhe aftësinë e tyre.”

“Ne do t’i hapim tregjet. Do të garantojmë konkurrencën e lirë. Do të krijojmë një mjedis, ku të lulëzojë sipërmarrja private. Liria ekonomike do të sjellë punë. Liria ekonomike do të sjellë mirëqenie.”

“Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”,  mbylli mesazhin e tij Lulzim Basha.

loading...
loading...