Arti në zi/ Ndahet nga jeta aktorja e njohur shqiptare, Presidenti Meta shpreh ngushëllimet

Arti në zi/ Ndahet nga jeta aktorja e njohur shqiptare, Presidenti Meta shpreh ngushëllimet
Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare, Valentina Caci. Lajmin e ka bërë të ditur, aktorja Zamira Kita në një status në Facebook.

"Lamtumire, e mira, e talentuara, e bukura, Valentina Caci! Rolet e shumta te realizuara prej saj, do te ngelen gjithmone ne kujtesen tone, bisedat dhe keshillat e saj, te paharruara! I perjetshem kujtimi!", shkruan aktorja Zamira Kita. 

Valentina Caci lindi në qytetit e Korçës më 2 mars të vitit 1936. Në lëvizjen artistike që shpërtheu që ne muajt e parë të paraçlirimit u aktivizua në grupet teatrale amatore, ku dhe u dallua si aktore amatore me perspektivë për skenën korçare.

Rolet e interpretuara në skenë nga nga Valentina Caci janë: Ollga në dramën “Makar Dubrava” e Korneiçukut, Kolkoziania në dramën “Rruga e madhe” e Fjodorovit, Gallupkova në komedinë “Kush e ka fajin” e Molinavit, Lumturia në dramën “Të rinjtë” e V. Vinçanit, Lumtua në komedinë “Vajza nga fshati” e F. Gjatës,

Bardha në dramën “Sëmundje e rrezikshme”, Viku në dramën “Ishulli i Aferditës, Vjollca në dramën “Doktor Aleksi” e I. Uruçit, Efrosinja në dramën “Vajza pa prikë”, Vjollca në dramën “Gjaku i ri” e A.Binos, Valdeti në dramën “Tre të shtëna pushke” e I. Uruçit, Eleni në dramën “Flakë në shtëpi” e Z. Cikulit, Nerka në dramën “Stina e kuqe” e F. Gjatës, Neribani në dramën “Mosha e bardhë” e D. Agollit,

Afërdita në dramën “Varri i pagëzimit” e N. Shkodranit, Leti në dramën “Motra Katerinë” e V. Zikos, Veroria në dramën “Këneta” e F. Gjatës, Nafia në dramën “Hijet e natës”e V. Kokonës, Meri në dramën “Rrethimi i bardhë” e N. Priftit, Helena në dramën “Engjejt e skëterrës” e Kantenit, Gruaja në dramën “Orteku i vjeshtës” e S. Andonit, Luçia në komedinë “Karnavalet e Korçës” e S. Çomorës,

Dhora në dramën “Rruga e madhe”e V. Zikos, Nekia ne komedinë “Zonja nga qyteti” e R. Pulahës, Lena në dramën “Maro Mokra” e R. Pulahës, Gruaja në dramën “Kur çel dashuria” e T. Laços, Nekia në komedinë “Shoqja nga fshati” e R. Pulahës, Komshia ne dramën “Shtëpia në rrugicë” e T. Laços, Komshia në dramën “Paja” e Di Maxhios.

Ngushëllime ka shprehur edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta.

"Me trishtim mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktores sonë të mirënjohur, “Artistes së Merituar” Valentina Caci.

Me rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, në skenë, dhe veçanërisht në film, Valentina Caci fitoi simpatinë dhe u duartrokit me meritë nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në teatër e kinematografi.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e kësaj artisteje të madhe, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të saj, si edhe të gjithë artdashësve shqiptarë.

E paharruar do të mbetesh e madhja Valentinë!"

Homazhet zhvillohen, ne teater, neser nga ora 12.00-13.00.

 

loading...
loading...