U shpall kampione e Europës, Kelmendi ia dedikon medaljen e arit djalit të tezes (i ndarë nga jeta)

U shpall kampione e Europës, Kelmendi ia dedikon medaljen e arit djalit të tezes (i ndarë nga jeta)
Majlinda Kelmendi u shpall Kampione e Europës gjatë Lojërave Evropiane Minsk 2019.

Xhudistja rekordmene mposhti në finale me Ippon kampionen në fuqi të Evropës, rusen, Natalia Kuziutina.

Është kjo medalja e parë e artë në historinë e Kosovës në dy pjesëmarrjet në Lojërat Evropiane.

Pas triumfit, Majlinda tregoi se fitoren ia dedikon një të afërmi të veçantë.

“Këtë medalje ia dedikoj një personi që ishte shumë i veçantë për mua, djalit të tezes sime, Labinot Harbuzi, të cilin fatkeqësisht e kemi humbur disa muaj më parë. Ai ka qenë idhulli im i parë kur isha 12 vjece. Ai ka besuar gjithmonë në mua dhe më ka thënë gjithmonë se jam më e mira në botë, kështu që këtë medalje ia dedikoj atij”, tha Majlinda.

Gjithashtu pas kësaj fitoreje të madhe dhe nuk harroi të falënderonte shqiptarët që e përkrahën në këtë rrugëtim.

“ Është hera e parë për mua që marrë pjesë në Lojërat Evropiane, që në sportin tonë janë të njëjta me kampionatin evropian, arsye për të cilën marrim dy medalje në një ditë.”

“Realisht ishte një ditë e gjatë dhe e vështirë, me mjaft stres, duke pasur parasysh se dy vitet e fundit nuk morra pjesë në kampionate, për shkak të lëndimeve. Isha mjaft e motivuar dhe besoj se gara shkoi shumë mirë. Finalja shkoi ashtu siç dëshirova. Rusja është shumë e fortë fizikisht, por në fund bëra gjuajtjen e hodha dhe thjesht ndjeva atmosferën e mirë që më rrethoi aty dhe shumë shikues që ishin dhe patën mundësinë me na përkrah. Jo shpesh kemi mundësi të shohim shqiptarët në këto nivele të na përkrahin kështu që thjesht i falënderoj”, u shpreh Majlinda.

loading...
loading...