Trump firmos sanksione të reja ndaj Iranit

Trump firmos sanksione të reja ndaj Iranit
Presidenti Donald Trump shpalli të hënën ato që ai i përshkroi si sanksione të reja, të ashpëra financiare ndaj Iranit. Sanksionet kanë si objektiv në veçanti Udhëheqësin Suprem të vendit, Ayatollah Ali Khamenei.

Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv, për të cilin ai tha se do të frenojë qasjen që zoti Khamenei dhe Irani kanë tek tregjet financiare botërore. Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha se sanskionet e reja do të bllokonin pasuri të Iranit me vlerën e dhjetra miliarda dollarëve.

Udhëheqësi amerikan tha se urdhëri i tij është një përgjigje "e fortë dhe proporcionale" e Shteteve të Bashkuara ndaj goditjes nga Teherani javën e kaluar të një avioni amerikan pa pilot, për të cilin Uashingtoni thotë se ndodhi në hapësirën ajrore ndërkombëtare pranë ngushticës së Hormuzit. Irani thotë se incidenti ndodhi mbi hapësirën e tij ajrore.

Sanksionet e reja vijnë ndërsa po shtohen shqetësimet rreth mundësisë së një konfrontimi të armatosur mes të dy vendeve, pasi zyrtarët amerikanë kohët e fundit fajësuan Teheranin për sulmet ndaj dy cisternave me naftë në ngushticën e Hormuzit. Irani i mohon këto akuza, ashtu sikurse edhe rrëzimin nga Irani të një droni amerikan javën e kaluar.

Presidenti Trump tha të enjten se e kishte anuluar një sulm hakmarrës kundër disa objektivave iraniane. Por të enjten, sipas njoftimit të mediave amerikane, zoti Trump miratoi gjithashtu sulmet e Komandës amerikane të Kibernetikës ndaj sistemeve kompjuterike të një grupi iranian të zbulimit, që përdoreshin për të kontrolluar hedhjen e raketave.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i quajti masat e reja ndaj Iranit "të rëndësishme", por nuk pranoi të jepte detaje specifike për gazetarët.

Ai i bëri këto komente para se të fillonte një udhëtim në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në vijim të përpjekjeve të administratës Trump për të ndërtuar një koalicion aleatësh për t’iu kundërvënë Iranit. Sekretari Pompeo u takua të hënën me Mbretin saudit Salman dhe me princin e kurorës Mohammed bin Salman.

"Bota duhet ta dijë se ne do të vazhdojmë ta bëjmë të qartë se me përpjekjen që kemi ndërmarrë për t’i mohuar Iranit burimet për të ushqyer terrorin, për të ndërtuar sistemin e tyre të armëve bërthamore, për të ndërtuar programin e raketave, ne do t’ia mohojmë burimet që u duhen, duke mbrojtur kështu interesat amerikane dhe të amerikanëve në gjithë botën”, - tha zoti Pompeo.

Irani ka mohuar se po punon për të prodhuar armë bërthamore dhe nënshkroi një marrëveshje në vitin 2015 me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë për të zbutur shqetësimet, duke kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Por marrëdhëniet SHBA-Iran janë keqësuar gjatë mandatit të Presidentit Donald Trump, veçanërisht që kur mori vendimin vitin e kaluar që të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore dhe për vendosjen e sanksioneve të reja.

Megjithëse Presidenti Trump u tërhoq nga kundërpërgjigjia ushtarake, për shkak të rrezikut të numrit të lartë të viktimave që do të kishte shkaktuar, siç tha ai, paralajmërimet ndaj Iranit vazhduan.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha se përmbajtja amerikane nuk duhet të keqkuptohet si dobësi.

“Askush nuk i ka dhënë Iranit liçencë gjuetie në Lindjen e Mesme. Siç tha Presidenti Trump, ushtria jonë është e rindërtuar, e re dhe absolutisht më e mira në botë”, tha zoti Bolton.

Por ish-shefi i Shtatmadhorisë amerikane, Mike Mullen shprehu shqetësim.

“Shqetësimi im më i madh është se presidentit po i mbarojnë alternativat. Dhe duke pasur parasysh se vazhdon retorika dhe se ishim aq pranë goditjes së Iranit, situata mund të dalë jashtë kontrollit. Lufta me Iranin është gjëja e fundit që na duhet në këtë moment”, - tha ai.

Megjithëse po vendos sanksione, Presidenti Trump thotë se mezi pret që të vijë koha kur ato të hiqen.

Marrë nga VOA

loading...
loading...