SHKODËR/ Dhjetëra “specialë” me maska para gjykatës për Bardh Spahinë, vazhdojnë arrestimet në Kukës e Tropojë

SHKODËR/ Dhjetëra “specialë” me maska para gjykatës për Bardh Spahinë, vazhdojnë arrestimet në Kukës e Tropojë
Në Gjykatën e Shkodrës vazhdon seanca për masën e sigurisë ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike, Bardh Spahia.

Ai është pritur me brohoritje nga shumë mbështetës të opozitës të cilët kishin ardhur para ndërtesës së Gjykatës së Shkodrës.

Partia Demokratike ka denoncuar edhe instalimin e dhjetëra efektivëve të forcave speciale përpara godinës.

“Gjykata e Shkodrës rrethohet nga dhjetëra forca speciale. Brenda nuk është një terrorist, por po zhvillohet seanca gjyqësore për Bardh Spahinë, i ndaluar nga policia me urdhër të paligjshëm”, deklaroi PD.

Bardh Spahia akuzohet për ngjarjet e ndodhur në një KZAZ, ku iu vu flaka materialeve zgjedhore.

PD ka denoncuar arrestimet e mbështetësve të opozitës, të cilët i ka konsideruar “të burgosur politikë” dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Spahisë dhe të arrestuarve të tjerë në protestat opozitare.

Pavarësisht paralajmërimit të opozitës për protesta të përditshme, policia ka vazhduar arrestimet.

Dy persona të tjerë janë prangosur në Kukës dhe Tropojë, për ngjarjet e ndodhura në KZAZ Nr. 09, Tropojë dhe KZAZ nr.11, Kukës, respektivisht në datat 19 dhe 20 qershor.

Policia tha se janë ndaluar personat e shpallur në kërkim me iniciale G.B., 38 vjeç, banues në Dojan, Tropojë, i dyshuar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor” si dhe L.Sh., 37 vjeç, banues në fshatin Shtiqen të Kukësit, i dyshuar për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” ,”Shkatërrimi i pronës”, “Dëmtim me dashje i materialeve zgjedhore, e mbetur në tentative”, “Organizim i paligjshëm i tubimeve”, dhe “Prishje e qetësisë publike”.

Ndërsa afrohet 30 qershori, tensionet kanë ardhur në rritje, por protesta e mbrëmjes së kaluar ishte tejet paqësore dhe pa asnjë episod dhune. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...