Sanksionet amerikane, dëme kolosale ekonomisë iraniane

Sanksionet amerikane, dëme kolosale ekonomisë iraniane
Veprimet e SHBA-ve e kanë goditur rëndë ekonominë iraniane. Ndërsa eksportet e lëndës së parë prej vendit të pasur me naftë kanë rënë, inflacioni dhe papunësia janë rritur. Irani, i cili është vendi i katërt në botë për nga rezervat e naftës dhe i dyti për nga rezervat e gazit, në prill 2018, pra, para se Trump ta nxirrte SHBA-në nga marrëveshja,dergonte deri në mbi 2,5 milionë fuçi në ditë pertej oqeanit. Kurse në maj 2019, numri i fuçive në ditë ishte 400,000 deri në 500,000, njofton agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar burime të industrisë.

Heqja e sanksioneve ndërkombëtare në vitin 2016 nxiti rritje të shpejtë ekonomike në Iran, me një rritje prej 12% në vitin 2016. Por rivendosja e sanksioneve vitin e kaluar shkaktoi një goditje masive.

Ekonomia iraniane, e dyta për nga madhësia në rajon, pas  Arabisë Saudite, vitin e kaluar u tkurr me 3.9% , bën të ditur Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Për vitin 2019, FMN-ja parashikon një tkurrje të Irani deri në masën 6%.

Frustrimi mbi sanksionet po rritet ndër iranianë, të cilët vitin e kaluar u përballën me një zhvfleftësim të valutës iraniane me  rreth 60%. Inflacioni u rrit me 37% dhe çmimet e ushqimeve dhe barnave mjekësore janë rritur me 40% deri në 60%, sipas shifrave të BE-së.

"Gjatë këtyre javëve dhe muajve, çmimet e produkteve të përditshme janë rritur në mënyrë dramatike për çdo iranian," i tha DW Michael Tockuss, drejtor i Dhomës Tregtare Gjermano-Iraniane. "Sanksionet nuk janë më specifike, nuk janë të drejtuara kundër ndërmarrjeve të veçanta ose kundër sunduesve të vendit, por ato godasin iranianët e zakonshëm në të gjithë vendin".

Shumë kompani të huaja, përfshirë prodhuesit e makinave si Daimler dhe Peugeot dhe grupi i naftës Total, i kanë mbyllur veprimtaritë e tyre në Iran gjatë muajve të fundit. Kjo e ka rritur edhe më shumë papunësinë në vend. Papunësia e përgjithshme është aktualisht 12%. Shkalla e papunësisë së të rinjve është afro 30%, një gjendje dramatike kjo, po të kemi parasysh se  60% e popullsisë 80 milionëshe janë nën 30 vjeç.

Një raport parlamentar shtatorin e kaluar paralajmëroi se papunësia në rritje mund të kërcënojë stabilitetin e vendit. Në raport gjithashtu thuhej, se nëse rritja ekonomike e Iranit mbetet nën 5% gjatë viteve të ardhshme, papunësia mund të shkojë deri në  26%. Presidenti iranian Hassan Rouhani thotë se vendi i tij po përballet me "luftë ekonomike". Por Uashingtoni thekson se presionet ekonomike ndaj Teheranit u drejtohen qeverisë, e jo iranianëve.

Marrë nga DW

loading...
loading...