Rama falënderon ndërkombëtarët: U kërcënuan, por nuk u lëkundën. Humbi Shqipëria e djeshme, fitoi e ardhmja

Rama falënderon ndërkombëtarët: U kërcënuan, por nuk u lëkundën. Humbi Shqipëria e djeshme, fitoi e ardhmja
Në një dalje publike, pak minuta më parë, Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar votimin e sotëm si “kulmin e një përplasje historike mes së shkuarës dhe së ardhmes”.

“Sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarje të rëndë politike të frymëzuar, të nxitur dhe organizuar për të ndaluar ecjen tonë përpara në rrugën e normalitetit shoqëror, bashkëjetesës demokratike dhe integrimit të popullit shqiptar në familjen e popullit të Europës. Sot ishte dita e zgjedhjeve vendore të radhës e cila u kthye në muaj pas muaji në ditën kulmore të një përplasje historike mes së shkuarës dhe së ardhmes, mes qytetarisë dhe harbutërisë, mes politikës së forcës dhe forcës së politikës, mes dhunës kërcënuese të së djeshmes dhe shpresës së natyrshme të së nesërmes, mes Shqipërisë së djeshme mes fantazmave dhe Shqipërisë që duam për të gjithë fëmijët”.

Sipas Ramës, “sot fitoi e ardhmja, fitoi shteti, forca e politikës, qytetaria, fitoi shpresa. Fitoi me të drejtë e dinjitet Shqipëria e të ardhmes evropiane. Humbi Shqipëria e djeshme pa din e pa iman”.

Teksa e konsideroi procesin e sotëm “një fitore të vështirë”, kryetari i mazhorancës falënderoi, por edhe u kërkoi ndjesë publike ndërkombëtarëve.

“Një faleminderit miqve dhe partnerëve, që u kërcënuan, por nuk u lëkundën në mbrojtje të demokracisë, lirisë së zgjedhjeve dhe të së drejtës për të zgjedhur. Faleminderit SHBA, BE, Misionit të OSBE dhe çdokujt tjetër nga përfaqësuesit e nderuar të botës demokratike që dhanë një dorë në këtë betejë. Jo vetëm faleminderit, por edhe ndjesë, shumë ndjesë, miqve të huaj që u bënë objekt e sulmeve të turpshme. Me ato sulme na turpëruan të gjithëve, si vend, si popull, si njerëz. Pas pas hyn një ditë e re që e gjen Shqipërinë të çliruar nga makthi, por vjen e ngarkuar nga plagët që hija e marrëzisë ka lënë pas”, tha Rama.

Kryeministri e cilësoi votimin e sotëm si “një ndër proceset më fantastike të zgjedhjeve”.

“Nesër nis një ditë e re duke reflektuar shumë më tepër se kaq, në nivel qendror dhe vendor. Ne nuk fituam ndonjë betejë, por fituam luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve. Nga sot, Shqipëria s’do shoh më fronte armiqësore politike kundër të drejtës së popullit për të zgjedhur. Ky ishte një mësim për ata që mendojnë mbrapsht. Ne nuk fituam ngaqë vetëm se kemi punuar mirë, Kjo ishte luftë ekstreme politike. Ne nuk kemi bërë punë shumë të mira, por të mira dhe kemi bërë punë që janë bërë gabim ose keq”, tha Rama.

Në fjalimin e sotëm, Rama u ndal edhe tek kundërshtarët e tij politikë, duke akuzuar opozitën për “Presion kriminal” dhe “plan antikombëtar”.

Sipas tij, akuzat e ngritura “në ajër” nga opozita, bazoheshin në një “monizëm imagjinar”.

“Kombi shqiptar si i tërë i lidhur në gjak nuk e meritonte gjithë sa pa , dëgjoi dhe përjetoi errësirën frikësuese të tërë gjysmës së sapo ikur të vitit. Zgjedhësit e këtij vendit nuk e meritonin tërë atë presion kriminal mbi shpirtin dhe zemrën e tyre. Ky vend nuk e meritonte llumin për llogari të një plani antikombëtar të lajmeve batakçinjtë të një qameti nuk ndodhi. Populli shqiptar sot foli. Ata folën si nuk ka më qartë e si s’ka më bukur. Duke votuar pse mos votuar, ata folën me gjuhë të paqes dhe respektit me njëri-tjetrit. Ata e kthyen të dielën në ditë normale, ku dhe çetat haxhiqemaliste, molotovët i kishin zëvendësuar me fizarmonike. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...