PËRPLASJA/ 15 të shoqëruar në Dibër, PD: Asnjë polic nuk është plagosur nga protestuesit, janë helmuar nga gazi që lëshuan

PËRPLASJA/ 15 të shoqëruar në Dibër, PD: Asnjë polic nuk është plagosur nga protestuesit, janë helmuar nga gazi që lëshuan
Të paktën 15 persona raportohet se janë shoqëruar në orët e para të mëngjesit të sotëm për ngjarjet e mbrëmjes së kaluar në Dibër.

Shifra është ende e pakonfirmuar, pasi burime mediatike raportojnë se numri i të shoqëruarve vazhdon të rritet.

Mbështetësit e opozitës janë zhvend9osur përpara ambienteve të policisë, ku mbahen personat e shoqëruar, dhe kërkojnë lirimin e tyre.

Pak përpara mesnatës, ka patur përplasje të forta në KZAZ numër 19 në Dibër, pas protestave të mbështetësve të opozitës.

Gjashtë punonjës të policisë dhe nëntë protestues raportohet se kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve.

Por kjo shifër është kontestuar nga Partia Demokratike.

“Qytetarët në Dibër nuk kanë plagosur as një polic të vetëm, siç u tha mbrëmë nga policia, e cila, po provohet se është kthyer në një vegël të mjerë politike të regjimit të Edi Ramës”, ka qenë reagimi i Partisë Demokratike.

Sipas partisë opozitare, policë dhe qytetarë kanë patur vetëm shenja intoksikimi nga gazi lotsjellës i lëshuar nga policia.

“Gjatë protestës nuk është lënduar asnjë punonjës policie. Gjatë protestës nuk është dëmtuar asnjë objekt shtetëror dhe asnjë pronë private”, shkruan ish-deputeti Xhemal Gjunkshi.

Më herët, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, kishte lëshuar një paralajmërim të fortë për të gjithë ata që, sipas tij, sulmuan KZAZ-në dhe policinë.

“Ligji do të veprojë pa asnjë mëdyshje ndaj çdo forme të krimit”, tha ministri.

Ndërsa ish-deputeti Gjunkshi, theksoi në deklaratën e tij se Partia Demokratike distancohet nga dhuna dhe akuzoi pikërisht Kryeministrin Rama dhe ministrin Lleshaj si autorë të skenarit të dhunës.

Policia tha mbrëmjen e kaluar se efektivë të saj janë goditur me sende të forta, kapsolla e bomba molotov nga protestuesit.

Për shpërndarjen e tyre, policia ka përdorur edhe gazin lotsjellës. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...