Nis procesi i votimeve në rang vendi

Nis procesi i votimeve në rang vendi
Ka nisur sot në orën 07:00 të mëngjesit votimi në rang vendi për zgjedhjet lokale për drejtuesit e 61 bashkive, teksa opozita i ka bojkotuar ato. Ne 35 prej këtyre bashkive ka vetëm një kandidat në garë pa rival përballë.

Sipas KQZ-së, të drejtën e votës sot e kanë 3.536.015 shtetas shqiptarë, nga të cilët 132.788 persona votojnë për herë të parë. Votuesit janë 51% meshkuj dhe 49% femra.

Në mbarë vendin janë ngritur 5417 qendra votimi, ndërsa zgjedhjet dhe mbarëvajtja e tyre do të monitorohen nga 150 vëzhgues të OSBE-OHDIR.

Në këto zgjedhje marrin pjesë 36 parti politike. Partitë e spekterit të majtë janë mbledhur në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë europiane” të udhëhequr nga Partia Socialiste ku bëjnë pjesë 20 parti. Gjithashtu tjetër koalicion është edhe “Shpresa për ndryshim”.

Sakaq, për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve ditën e sotme janë trajnuar 7779 punonjës të policisë që po angazhohen me detyra sipas niveleve të menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.

Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes, orar pas të cilit komisionerët e qendrave të votimit do të mbyllin kutitë me materialet zgjedhore shoqëruar me procesverbalet përkatëse.

loading...
loading...