“Në shtrat me krimin”, nis protesta e opozitës me përgjimet për pazaret e votave

“Në shtrat me krimin”, nis protesta e opozitës me përgjimet për pazaret e votave
Protesta e sotme e opozitës ka nisur me koreografi të ndryshme nga mbështetësit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Dosjet e audiopërgjimeve me fokus pazaret e votave në zgjedhjet e kaluara parlamentare kanë qenë në qendër të koreografisë së protestuesve.

Në një shtrat të madh, një i ri me maskën e Kryeministrit Edi Rama i shtrirë, ndërsa përreth janë të tjerë të rinj që kanë veshur maskat e njerëzve, emrat e të cilëve kanë dalë në audiopërgjimet e regjistruara në dosjet 339 dhe 184.

Përpara Kryeministrisë, një maket që imiton shtatoren e ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha, e cila u rrëzua në shkurt të vitit 1991 në sheshin “Skënderbej”. Por kjo shtratore ka fytyrën e Kryeministrit Rama, gjest më të cilin protestuesit lidhin zgjedhjet monopartiake të 30 qershorit me ato të regjimit komunist.

Mes thirrjeve të turmës, edhe kjo shtatore u rrëzua në minutat e para të protestës së sotme.

Dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës, të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, kanë nisur me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Rama ik” dhe të tjera, ndërkohë që po mban fjalim kryetari i opozitës së bashkuar, Lulzim Basha.

Cikli i protestave antiqeveritare ka nisur ndërkohë që opozita ka djegur mandatet në parlament dhe kërkon zgjedhje pa kryeministrin Rama.

Protesta e sotme është konceptuar si marshim, ndërsa krerët e opozitës kanë garantuar se do të kalojë qetë dhe pa dhunë. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...