Më 30 qershor “zgjedhje partiake dhe imagjinare”. A do të shpërndajë Kuvendin? Ja çfarë thotë Presidenti Meta

Më 30 qershor “zgjedhje partiake dhe imagjinare”. A do të shpërndajë Kuvendin? Ja çfarë thotë Presidenti Meta
Në një dalje përpara mediave, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka konfirmuar se dekreti i tij për anulimin e datës 30 qershor për zgjedhjet vendore është në fuqi dhe nuk është cenuar nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor.

“Ditën e djeshme në kolegjin zgjedhor u shqyrtua kërkesa e një partie kundër vendimit të KQZ. Kolegji zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesë padisë për tu çregjistrojë nga këto zgjedhje imagjinare. Vendimi ka të bëjë vetëm me vendimin e kësaj partie dhe organizatës socialiste në KQZ”.

Meta theksoi se Kolegji nuk mund të shqyrtonte vlefshmërinë e dekretit të Presidentit, sepse një tagër të tillë nuk ia lejon kushtetuta.

Sipas Metës, vendimi i Kolegjit Zgjedhor është marrë nën presione dhe shantazhe.

Meta ritheksoi se dekreti i tij “synonte t’u krijonte palëve një mundësi reflektimi”.

“Në veçanti kjo iniciativë synonte të ndihmonte përpjekjet për dialog të kryeministrit Rama që i kishte shkruar 7 letra publike kreut të PD Lulzim Basha. Por në mënyrën më zhgënjyese parlamenti miratoi një rezolutë që iu bënte thirrje institucioneve të mos zbatonin dekretin”.

Meta akuzoi mazhorancën për veprime të paligjshme, duke paralajmëruar edhe përgjegjësitë përkatëse.

“Jemi ne situatë paradoksale, ku Presidenti ka anuluar me dekret datën e zgjedhjeve, ndërkohë që mazhoranca në paligjshmëri të plotë vijon teatrin. Dekreti i Presidentit për shfuqizimin e dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve është marrë në vlefshmëri të plotë, ndaj dhe vetëm gjykata mund ta shqyrtojë. Presidenti i bën thirrje mazhorancës të tërhiqet nga shantazhet, pasi askush nuk do ta justifikojë përballë ligjit. Vazhdoj të jem i duruar, të pres reflektimin e tyre. E vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës mbetet vetëm dialogu politik dhe respekti i ligjit nga të gjithë”.

Presidenti i është përgjigjur edhe pyetjes në lidhje me qëndrimin e ndërkombëtarëve.

“Nuk hyj te ata politikanë që flasin në emër të ambasadave, ndërkombëtarëve dhe që fshihen pas tyre. Në Shqipëri i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve është Presidenti. Unë nuk kam anuluar zgjedhjet në Itali, apo në një vend tjetër, por në Shqipëri, për shkak të një krize të thellë, që vijon prej disa muajsh. Mos prisni nga asnjë ambasador të iu thotë këtë që po iu them unë”.

Gjithashtu, kreu i shtetit konfirmoi se nuk ka ndër mend të japë dorëheqjen, me gjithë përplasjen e fortë të javëve të fundit me mazhorancën.

Po a po merr në konsideratë shpërndarjen e Kuvendit, teksa Meta ka kërkuar dy herë informacion për numrin e deputetëve, që nuk janë 140 sipas Kushtetutës?

Meta ka një përgjigje shumë diplomatike:

“Presidenti do të bëjë çdo veprim me shumë qetësi, përgjegjshmëri dhe do t’i shërbejë gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe interesave të saj”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...