Kozeta Bakiu: Ne kërcenim me muzikë radioje, sot i kanë të gjitha por...

Kozeta Bakiu: Ne kërcenim me muzikë radioje, sot i kanë të gjitha por...
*Arkiva e ekselentëve në art

Koreografja e njohur, Kozeta Bakiu, për herë të parë, ndalet në një rrëfim të gjerë mbi jetën dhe pasionin për dancin dhe koreografinë, dhimbjen për humbjen e shokut të jetës, mësimdhënien dhe miqtë

 

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

 

Spektaklet “12 vallëzime pa një të shtunë”, “Rreth fatit për 12 javë”, “12 në Hollivud”, Festivalet në RTSH, Miss Albania nga viti ’92 deri në vitin ’96, e shumë e shumë si këto, na sjellin menjëherë në kujtesë koreografen, Kozeta Bakiu. Në panoramën e skenës shqiptare të fillimeve të demokracisë, ajo theu shumë tabu dhe zbuloi me dhjetëra talente që sot, i detyrohen shumë. Por si çdo grua dhe artiste e njohur, Kozeta Bakiu karakterizohet nga një modesti e rrallë. E dëgjoj, gjatë takimit tonë, të flasë në telefon me studentët, si t’i ketë fëmijët e saj, me përkujdesje, por edhe qortime të ëmbla. Nga jeta është goditur rëndë, duke humbur shokun e jetës, në moshë shumë të re, nga një sëmundje e rëndë. Por është ringritur sërish. Kozeta është mjaft e rezervuar me gazetarët, por për herë të parë, ndalet në një rrëfim të gjerë mbi jetën dhe pasionin për artin.

 

 

Si ka qenë afrimi juaj me baletin e më pas, pse zgjodhët koreografinë?

 

Ne kemi qenë familje e madhe. Nëna, babai, dy motrat e mia, Mila dhe Berina, gjyshja, gjyshi, kishim dhe hallën që jetonte me ne, pasi nuk ishte e martuar. Hallë Dhuratën e thërrisnim “none”, se për ne ishte si një mama e dytë. Prindërit donin që unë të bëhesha mjeke si nëna, por halla (nona) shikonte që unë kërceja dhe imitoja balerinat kur shikoja balet klasik tek kanalet italiane. Familja ime ka qenë e pasionuar pas artit dhe spektatorë të rregullt në çdo premierë në TKOB. Kështu, halla ime, një ditë të bukur, më mori për dore e shkuam në pallatin e pionierëve, në kursin e baletit. Kështu filluan hapat e para drejt kësaj rruge të gjatë e të vështirë. Në këtë kurs ishte dhe Ani Grillo (vajza e Odise Grillos), mamatë tona ishin shoqe që në moshën 13-vjeçare dhe teta Vangjeloja ishte mjeke. Ani ishte një vit më e madhe se unë dhe u fut një vit përpara në shkollë të baletit. Një vit më pas shkova dhe unë.

 

Dëshira ime ka qenë të futesha në trupën e baletit në TKOB, pas mbarimit të shkollës, por kisha një problem, isha me "njollë në biografi". Sot qesh me këtë gjë, por për kohën ishte problem i madh. Prandaj për këtë arsye, prindërit e mi vendosën që unë duhet të bëhesha koreografe, të vazhdoja shkollën e lartë ne ILA (Instituti e Lartë të Arteve), sot Universiteti i Arteve.

Unë nuk doja, pasi në profesion, në balet, isha shumë mirë, por ma mbushën mendjen dhe vazhdova koreografinë me prof. Skënder Selimin, i cili ishte iniciator për hapjen e kësaj dege dhe shef katedre i koreografisë në atë kohë.

 

 

Mbaheni mend edhe sot nga publiku, për spektaklet asokohe shumë të suksesshëm. Si i kujtoni ato vite?

 

Pas mbarimit të shkollës, përsëri mbeta pa punë për hir të biografisë time edhe pse në atë kohë të caktonte "rinia" komuniste se ku duhet të punoje. Mua më caktuan në Kosovë të Elbasanit, por nuk kishte vende pune dhe dosja ime u kthye mbrapsht. Në pritje, futem në pallatin e pionierëve si mësuese, pa të drejtë rroge. Kjo ka qenë një periudhë prove për mua, pasi unë fillova krijimtarinë e parë jashtë shkolle, jashtë kontrollit dhe mbështetjes se pedagogut tim. Por kisha dy mbështetës të tjerë me rëndësi, Jorgo Papingjin (që bënte libretët) dhe Dorian Ninin (që bënte muzikën); unë bëja koreografinë.

Gjithmonë isha në provë, pasi të dy më thoshin "po nuk na pëlqeu, nuk ta besojmë punën tonë" dhe qeshnin. Bashkëpunimi ynë kishte filluar që kur mbrojta diplomën. Kjo punë e përbashkët u kurorëzua me një çmim të 3-të në dekadën e majit, me tablonë koreografike "Balonat". Kjo, për mua, ishte shumë, pasi nuk e mendoja kurrë që me koreografinë time, do të merrja çmim. Punoja që t’u thosha të tjerëve që ekzistoj dhe të fitoja një vend pune, jo për çmim.

Dua të theksoj diçka me rëndësi për mua. Në vitin ’89, ishin dy korifenj që më nxitën të vazhdoja krijimtarinë, Petrit Vorpsi dhe Panajot Kanaçi të cilët, pasi mora këtë çmim ku ata ishin në juri, u shprehën se unë duhet të vazhdoja krijimtarinë, pasi kisha vlera. Nuk e di as sot se çfarë dalluan tek unë, por kjo më nxiti të vazhdoja më me pasion.

Pas një viti, unë hyra si mësuese në shkollë të baletit dhe kisha klasat e mia. Spektaklet erdhën më pas. Kisha një grup me nxënës të shkollës me të cilët vazhdoja të bëja koreografitë e mia dhe i nxirrja në shfaqe tek "Gjimnastrada" në pallat të sportit. Ajo periudhë kohe ka qenë e bukur, plot dëshira e pasion për të ndryshuar diçka, për të bërë një gjë ndryshe, për të thyer tabutë e kohës, mentalitetin në formë të bukur e të edukuar, nëpërmjet artit.

 

 

Bëni pjesë ndër ata artistë që keni investuar shumë mbi talentet. Po sot?

 

 

Mendoj që talenti është i lindur, është dhunti që ta ka dhënë natyra, Zoti, nëna që të ka lindur, është instrument që e ka individi. Talenti nuk mund të dhurohet, apo të fitohet me punë. Unë mundohem që atë gjë të vogël që shikoj tek dikush, dua ta nxjerr në pah, ta zbuloj ta shikojnë edhe të tjerët.

Sigurisht kjo kërkon punë e durim. Unë nuk mund të ndryshoj, kjo është natyra ime si më parë, por edhe tani. Por po, ka një ndryshim të vogël në fakt. Rinia sot nuk është me të njëjtin pasion të brezave të dikurshëm, mbase ngaqë kanë gjithçka dhe puna bëhet më e vështirë. Ka raste që ia vë fajin vetes duke menduar se jam shumë kërkuese.

 

 

Cili është mendimi juaj mbi gjendjen e koreografisë sot?

 

Kjo është një pyetje e vështirë. Sigurisht që ka ecuri, ka talente, ka potencial koreografik, por nuk ka investim në art, në balet. Ne kemi mbetur me një shkollë baleti, me një trupë baleti, me një universitet arti. Por nuk ka një shkollë danci bashkëkohor ose modern, nuk u bë ligji që balerinët të dalin në pension në kohën e duhur për ti hapur rrugë talentit që vjen pas. Nuk ka rroga të mira, për punën dhe lodhjen që kanë, nuk vlerësohen kurrë sa duhet! Janë djegur bursa ku të rinjtë që do studionin do të sillnin diçka tjetër me bazë. Me pak fjalë, ka bulëza por jo thelb, jo një bërthamë të fuqishme. Shumica e balerinëve ikin jashtë Shqipërisë dhe vazhdojnë profesionin e tyre në vende të ndryshme të botës. Tek ne vazhdon eksodi.

 

 

Bashkëshorti juaj i ndjerë, ishte edhe ai artist. Ka qenë për ju ky fakt lehtësues në karrierë? Ju keni dy fëmijë që sot studiojnë në universitet. Ndonjë prej tyre kishte talent në art?

 

Kur jam martuar me Gazmend Mukën, unë kisha bërë rrugë në art dhe isha e njohur. Sigurisht duke qenë artist, ne kuptoheshim me njëri-tjetrin, pasi në art ose në profesionin tim (sidomos kur punon në TV) nuk ka ditë festash, nuk ka ditë pushimi, nuk ka të diela dhe Gazi e kuptonte këtë. Ai ishte piktor restaurator, njohës shumë i mirë i historisë së artit figurativ, i afreskeve të kishave dhe unë e kuptoja kur bënte ekspedita për restaurime ose kur shkonte me shërbim. Besim dhe mirëkuptim, ky ishte sekreti ynë.

Një kuriozitet për njerëzit e shumtë që njoh, në fillim kur u njoha me Gazin, kur dilnim bashkë e nuk kishim shpallur fejesën, takoja rrugës njerëz e ai priste e me thoshte "me ty nuk dilet se gjysma e kohës të ikën duke takuar të tjerët", pastaj morëm biçikleta të dy, por ishte e njëjta situatë e thoshte "Jooo, është bërë me marrë makinë se është e pamundur, se ti zbret prapë nga biçikleta dhe i takon." Qeshnim shumë me këtë.

 

Fëmijët tanë, Rea dhe Grei, e kanë zgjedhur vetë rrugën e tyre pa i sforcuar ne. Mendoj që talentin e tyre do ta tregojnë në profesionet që kanë zgjedhur, talenti zbulohet gjithmonë e askush nuk mund ta fshehë atë.

 

 

 

Keni mbi 16 vite si pedagoge e koreografisë në Akademinë e Arteve. Si zgjodhët mësimdhënien?

 

Mësimdhënia më ka tërhequr gjithmonë, mendoj që e kam pasur në gjak. Gjyshi im ka qenë një ndër mësuesit e parë në Elbasan, babai im ka punuar në arsim, nëna ka qenë pedagoge e Pediatrisë në Fakultetin e Mjekësisë. Është traditë e familjes prej tre brezash.

 

 

Keni qenë dhe jeni pedagoge, por dhe një mike apo këshilluese e mirë për studentët. Funksionon kjo?

 

Tek unë funksionon, mbase jam pak protektive, si mami ose motër e madhe për ta. Mendoj se kushdo duhet të ketë një mundësi të dytë dhe po të gabojë duhet të di të kërkojë falje dhe të falë. Por një të tretë, jo.

 

Kur ju dikur punonit me artin, kushtet ishin mizerabël. Mungonte çdo gjë. Por punohej shumë. Sot është kështu?

 

Oooo, ku më ke çuar me këtë pyetje...

Në atë kohë, flas për vitet '90, vërtetë nuk kishim kushte dhe kishim shumë pengesa, "bërryla", "shkopinj nën rrogoz". Nuk kishim sallë ku të punonim, na mbyllnin derën dhe ne i bënim koreografitë nëpër shtëpi ku mundeshim e kush nuk kishte njeri në shtëpi. Njëherë, duke bërë prova në shtëpinë time me Elona Nallbanin dhe Ilir Llakmani (sot ai ndodhet në Francë), gjatë një padjeshke Elona i bie abazhurit dhe thyhet. Ajo u tremb që e theu, se ishte te shtëpia e zyshës. Nona (halla) u tremb se mos u vra Elona dhe gërthiste "pu pu pu mi Kozet, këmba e gocës se do kërcejë". Elona ishte shumë mirë e plasi një e qeshur me lot. Muzikat i regjistronim nga radio me një kasetofon që kush e kishte, ishte luks i madh. Unë kisha mësuar si të montoja muzikën të prisja e të ngjisja shirita.

Por kishte pasion. Sot i kanë të gjitha, por pasioni mungon, mungon dëshira për të bërë të pamundurën për të realizuar diçka të bukur, por jo tek të gjithë. Ka nga ata që duan të thonë fjalën e tyre dhe unë i përkrah dhe u jap zemër.

 

 

Sot jeni një zonjë që i ka vënë shpatullat familjes, pas humbjes së shokut të jetës. Është e vështirë?

 

Sigurisht është e vështirë. Do të përmend një shprehje popullore e cila më ka mbetur në mendje: “Kur në një familje humbet nëna thonë që fëmijët ngelen jetim, por kur humbet babai, ajo shtëpi mbetet e varfër, por fëmijëve nuk u mungon dashuria e ngrohtësia.” Në fillim nuk e kuptoja këtë shprehje, më vonë e kam ndjerë. Në Shqipëri nuk ekziston ndihma sociale ose është aq minimale sa është e pakonsiderueshme. Mendoj për të gjitha ato nëna që ngelen vetëm, pa punë dhe me fëmijë për të rritur, edukuar, shkolluar, ushqyer. Pensioni që del është qesharak dhe shteti nuk bën asgjë. Përveç se ke dhimbjen brenda teje, por vuan dhe indiferencën totale të punonjësve nëpër zyra, mundem ta quaj "diskriminim". Unë punoj dhe e kam përballuar këtë pjesë me stres më të vogël, kam dy motra pranë dhe kam pasur krah prindërit e mi, por kur mendoj për ata që nuk kanë asnjë në këtë botë, më vjen keq, më vjen të ulëras. Gazi ka punuar shumë dhe ka dhënë për këtë vend dhe kur i doli pensioni i fëmijëve aq minimal më vinte keq nga mosvlerësimi! Kuptova që nuk jemi asgjë në këtë botë. Mbase dukem e ashpër, por kjo është e vërteta.

 

Çfarë vlere ka miqësia për ju? Po paraja apo interesi?

 

Interesin nuk e njoh, pasi unë çdo gjë e kam bërë me forcat e mia. Nuk kam pasur njohje në art apo në punë, kudo ku kam punuar. Nuk kam bërë asnjë gjë për interes, sepse nuk jam edukuar në këtë mënyrë. Paraja sot ka vlerë, por dhe kjo për mua nuk ka pasur vlera të veçanta. Kam jetuar mirë me aq sa kam pasur, gjithmonë.

Miqësia ka vlera të veçanta për mua. Motrat e mia janë miket më të mira dhe pse kemi diferencë moshe, me Milën kam 10 vjet me Berin 12 vjet, por kjo diferencë nuk na ka penguar të shkojmë mirë me njëra-tjetrën. Por unë kam një shoqëri të zgjeruar, kam miq të mirë, në mosha të ndryshme. Mbase ma ka sjellë edhe puna këtë gjë, pasi gjithmonë kam punuar në dy punë të ndryshme, mësimdhënia dhe krijimtaria në TV ose spektaklet në teatër. Mësimdhënia dhe koreografia janë shumë të ndryshme dhe unë nuk kam neglizhuar asnjëherë në pune. Nëpër këto punë njihesh dhe krijon dhe miqësi të reja.

 

 

Ju zhvilloni shumë aktivitete dhe nëpër rrethe. Ndonjë plan të ri keni?

 

 

Është e vërtetë, këtë periudhë kohe kam punuar dhe në Fier me një bashkëpunim me bashkinë e Fierit dhe zoti Agron Xoxa. Kemi bërë punë të mira mendoj dhe bashkëpunimi vazhdon. Dëshira është të hapim degën e baletit në shkollën artistike "Jakov Xoxa" në Fier, procedurat kanë filluar, por nuk kanë përfunduar ende. Kjo më shumë është një front pune për brezat që do vijnë. Një disiplinë artistike shkollore është shumë më mirë se një kurs pasdite për të mbushur kohën e fëmijërisë. Por në Fier, kam parë talente, prandaj dëshira nga të gjithë, që nga Kryetari i bashkisë, zoti Armando Subashi, e deri tek artistët atje, është shumë e madhe që të realizohet.

 

 

 

Cila do të ishte këshilla juaj për koreografët e rinj?

 

Talenti është talent nuk dhurohet, por kultivohet me punë. Nëse nuk punon, ai ngelet aty, brenda teje, në gjumë të heshtur. Por talenti do dhe pasion dhe zgjuarsi të dalë në pah. Punoni me pasion dhe me mend në kokë!

 

Ju rrëfej një detaj të vogël, që lidhet me këtë. Gjyshi im ka qenë një burrë i mençur, me 7 gjuhë të huaja, fliste dhe shkruante arabisht, persisht, turqishten e vjetër, latinisht, anglisht gjermanisht, italisht. Ka shkruar libra mbi historinë duke u bazuar në përkthimet e Sami Frashërit që ishte i detyruar të shkruante vetëm turqisht.

Librat e tij u botuan pas vdekjes, nga babai im, se ishin të gjitha dorëshkrime në Bibliotekën Kombëtare, ku ka punuar në kohën e socializmit. E kanë quajtur "autori i heshtur", pasi nuk kërkoi asnjëherë merita apo lëvdata për punën e bërë.

 

 

loading...
loading...