I nxehti godet vendet evropiane

I nxehti godet vendet evropiane
Evropa është goditur nga një valë të nxehti që i ka detyruar autoritetet të aktivizojnë plane për mbrojtjen e popullsisë nga efektet e temperaturave të larta dhe lagështisë së madhe. Evropianët po përballen me temperatura që shkojnë mbi 40 gradë celsius.

Për evropianët kjo javë do të jetë tejet e nxehtë me temperatura që mund të arrijnë shifra rekord për muajin qershor. Zyrtarët e shëndetësisë në Francë dhe gjetkë po paralajmërojnë banorët se vala e të nxehtit do të vazhdojë deri në fund të javës. Edhe gjatë natës temperaturat do të jenë të larta. Agnès Buzyn është Ministre e Shëndetësisë së Francës.

“Të martën, kishim mbi 74 departamente në gjendje gatishmërie ndërsa vala e të nxehtit pritet të vazhdojë deri në fund të javës. Shtrirja gjeografike e valës së të nxehtit dhe temperaturat pritet të rriten, kryesisht temperaturat gjatë natës.”

Autoritetet në shumë vende evropiane i kanë udhëzuar spitalet të përgatiten për një rritje të rasteve emergjente si rezultat i temperaturave ekstreme. Kombinimi i nxehtësisë, lagështisë dhe ndotjes përbën rrezik kryesisht për të moshuarit dhe fëmijët. Por zyrtarët paralajmërojnë të gjitha moshat që të jenë të kujdesshëm pasi mjedisi mund të jetë më i nxehtë nga sa tregojnë termometrat. Andreas Friedrich është me shërbimin e sinoptikës në Gjermani.

“E mërkura do të sjellë temperatura ekstreme në jugperëndim të Gjermanisë ku temperatura e ajrit do të shkojë në 43 gradë. Çfarë do të thotë një stres ekstrem termik.Kjo kërkon shumë kujdes, menjanim të punës fizike gjatë ditës, qëndrim në hije dhe konsumim të madh lëngjesh. Mjekët rekomandojnë konsumimin e dy litrave ujë ose lëngje në ditë.”

Shumë qytete kanë instaluar sisteme spërkatje me ujë nëpër qendra për t’u dhënë mundësi banorëve që të freskohen. Punonjësit në kopështe zoologjike po spërkasin me ujë kafshët.

Në vitin 2003, një valë e nxehtë në Evropë shkaktoi 35 mijë të vdekur, shumica në Francë, rreth 15 mijë. Anne Hidalgo është Kryetare e Bashkisë së Parisit.

“Në të kaluarën kemi patur valë të nxehti, më të shkurtëra se kjo që po kalojmë tani. Por e dimë se në vitet që vijnë, këto valë të nxehti në Paris mund të zgjasin deri në tre muaj. E dimë mjaft mirë se në një qytet të ndërtuar me gurë si Parisi, jeta e njerëzve do të jetë shumë e vështirë.”

Studiuesit e motit thonë se vala e fundit e të nxehtit të madh përsëri tregon ndikimin e ngrohjes globale të planetit dhe se kushtet e motit ekstrem ka mundësi të bëhen më të shpeshta.

Marrë nga VOA

loading...
loading...