Euro 2020/ Reja flet për kualifikimin: E pranova Shqipërinë, pas verës që provova në Durrës

Euro 2020/ Reja flet për kualifikimin: E pranova Shqipërinë, pas verës që provova në Durrës
Shqipëria e Edi Rejas, me fitoren kundër Moldavisë arriti të mbaj të gjallë shpresën e një kualifikimi tjetër në Europian. Pas shkarkimit të Panucci, Reja debutoi me humbje në Islandë, por në të dyja ndeshjet e para të tij, përfshirë edhe fitoren kundër Moldavisë, loja ka qenë bindëse, ndryshe nga periudha kur kuqezinjtë drejtoheshin prej Christian Panucci.

Në një intervistë për të përditshmen italiane “La Gazzetta dello Sport”, Reja e nis pikërisht duke bërë një bilanc për dy sfidat e tij të para në krye të Kombëtares: “Humbëm në Islandë ishte e pamerituar, ata goditën vetëm një herë kuadratin duke shfrytëzuar një neglizhencë të mbrojtjes. Më pas mposhtën Moldavinë, më thanë që kishin kohë që nuk shihnin një ndeshje të tillë. Skuadra ka gjetur dëshirën për të luftuar, edhe njerëzit ishin të kënaqur.

Në karrierën 40-vjeçare ai kishte drejtuar disa skuadra të njohura të Seria A, por kurrë më parë një ekip kombëtar.

“Isha i lodhur duke drejtuar klube, pas Atalantës kam refuzuar disa oferta nga Udinese, Benevento e Verona, doja ta mbyllja karrierën duke hequr një peng të fundit, të drejtoja një përfaqësuese. Kur më mori Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare, e pranova menjëherë. Jam në formë, trupi më përgjigjet. Çfarë të premtoj Duka? Më tha se do të provoja verën që prodhon afër Durrësit. Keni firmosur për 6 ndeshje. Më pas? Pas kualifikueseve do të shohim, ekzistojnë kushtet për të vazhduar”, theksoi ai.

Sa mundësi ka Shqipëria për t’u kualifikuar në Europian, ku bën pjesë në një grup me Francën, Turqinë e Islandën?

“Do ta provojmë, do të jetë e vështirë. Do të luajmë gjithçka në Turqi. Si luan Shqipëria? E kam nisur me 3-5-2 me dy sulmues roli ndërmjet Sadikut, Cikalleshit, Balaj dhe Uzunit” theksoi Reja, duke nënvizuar se po përpiqet të gjejë më tepër stabilitet në mbrojtje, nisur edhe nga fakti se humbja me Islandën erdhi si pasojë e një gabimi në këtë repart.

loading...
loading...