BE vazhdon të ndjekë një strategji të gabuar politike në Ballkan

BE vazhdon të ndjekë një strategji të gabuar politike në Ballkan
Nga Spiros Sideris

Shtyrja e vendimit për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit mund të çojë në një përhapje të krizës në Balkan dhe Evropë

Vendimi i ministrave të jashtëm të BE-së për të shtyrë fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri në tetor 2019, mund të përkufizohet si një “dush i ftohtë”.

 

Sipas konkluzioneve të këtij takimi, dy vendet i kanë përmbushur reformat e nevojshme të cilat lidhen me fillimin e procesit të negociatave për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian. Në këshillin e ministrave të jashtëm të datës 18 qershor 2019, krerët e diplomacisë së BE-së e patën të pamundur të vendosnin mbi fillimin e negociatave dhe e shtynë këtë çështje për në tetor 2019.

Reagimi i parë mbërriti nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë, ku ministrja Ekaterina Zaharieva shprehu keqardhjen e saj për shtyrjen e këtij vendimi.

Çuditërisht, Ministria e Jashtme greke nuk komentoi këtë vendim për t’i shtyrë diskutimet për në tetor, ndërkohë që fakti që nuk u përmend qoftë edhe një herë përvjetori i parë i nënshkrimit të Marrëveshjes historike të Prespës më 17 qershor 2018 la një shije paksa të hjidhur. Kjo ishte një marrëveshje që e rriti rolin e Greqisë në rajonin e Ballkanit dhe u bë një simbol ndërkombëtar i zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve dypalëshe. I vetmi rast kur kjo marrëveshje u përmend ishte nga kryeministri grek Aleksis Cipras gjatë samitit të vendeve jugore të Bashkimit Evropian që u mbajt në Maltë, prej nga bëri edhe thirrje për hapjen e negociatave.

Nga ana tjetër, sipas informacioneve të marra nga IBNA, katër ish ministra të jashtëm i bënë thirrje Bashkimit Evropian që t’i fillojnë bisedimet për anëtarësim, ashtu siç ishte vendosur në qershor të vitit 2018, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit për rajonin dhe për Evropën, për sigurinë, stabilitetin dhe demokratizimin e Bashkimit Evropian. Kjo deklaratë e përbashkët u nënshkrua nga ish ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, ish ministri i jashtëm bullgar, Daniel Mitov, ai grek Nikos Kocias dhe ai qipriot Joanis Kasulides.

Kjo nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian zbaton kritere të ndryshme për rajonin e Ballkanit në krahasim me rajone të tjera siç është Balltiku apo Evropa Lindore, ku hyrja e këtyre vendeve në BE u trajtua si një çështje urgjente.

Si justifikim i parë i pranimit të vendeve të ish Bashkimit Sovjetik në Balltik dhe vendeve të ish traktatit të Varshavës ishte pavarësimi i tyre nga Federata Ruse dhe krijimi i kufirit Euro-Atlantik në kufirin rus.

Megjithatë, në Ballkan, pas ndarjes së Jugosllavisë dhe me vendet e Bashkimit Evropian si fajtoret kryesore, shumica e vendeve u lanë në mëshirën e konjukturave politike, ekuilibrave të ndryshëm dhe pengmarrjes së këtyre vendeve, duke zgjeruar kështu lëvizjet nacionaliste të ekstremit të djathtë, duke rritur korrupsionin dhe duke shkaktuar degradim të institucioneve demokratike.

Evropa, e cila konsiderohet si një garantuese e paqes dhe sigurisë, u bë, me qëndrimin e saj kundrejt Ballkanit, sponsorizuesja kryesore e përçarjeve, nacionalizmit, tensioneve dhe dhunimit të çdo institucioni demokratik.

Pavendosmëria dhe pengimi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE paraqet rreziqe për rajonin dhe shndërrohet në një potencial për tensione dhe për një krizë në Evropë. Mungesa e sigurisë dhe mungesa e burimeve për reformat e nevojshme në këto vende mund t’i shtyjë ato që të ndikohen nga vende si Rusia dhe Turqia, të cilat duan të ndërhyjnë në rajon.

Evropa është thirrur që të vendosë pa humbur kohë. Atmosfera në Ballkan nuk është aspak ideale dhe çdo vonesë mund të çojë në situata të pakontrollueshme që do të trazojnë edhe vetë themelet e Unionit.

loading...
loading...