Basha: 150 mijë punonjës të shtetit u kërcënuan me pushim nga puna, por 85% e shqiptarëve braktisën maskaradën e Ramës

Basha: 150 mijë punonjës të shtetit u kërcënuan me pushim nga puna, por 85% e shqiptarëve braktisën maskaradën e Ramës
Rreth dy orë pas mbylljes së qendrave të votimit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e konsideroi votën e sotme si atë të rrogëtarëve të shtetit.

Sipas kryetarit të opozitës, në zgjedhje morën pjesë punonjësit e sektorit publik, nën trysni dhe kërcënime.

“Në mënyrë të veçantë, regjimi ka ushtruar trysni dhe kërcënime ndaj punonjësve të sektorit publik. Mbi 150 mijë punonjësit publikë janë kërcënuar me pushim nga puna, nëse nuk votojnë së bashku me familjarët e tyre. Ata janë identifikuar dhe matrikuluar më një sistem të veçantë kodifikimi në të gjitha qendrat e votimit për të vërtetuar pjesëmarrjen e tyre në votim.

Në të vërtetë, thuajse e gjithë vota e sotme është vota e sektorit publik, e rrogëtarëve të shtetit, e marrë nën kërcënim dhe dhunim të vullnetit të lirë të punonjësve dhe familjarëve të tyre.

Numri real tregon asgjë më shumë sesa rrogëtarët e shtetit nën terror, të detyruar, njësoj siç e tregojnë përgjimet e BILD-it të dalin bashkë me familjarët që të mos e humbasin bukën e gojës”, tha Basha.

Ai u premtoi “rrogëtarëve të shtetit” se “do të çlirohemi shumë shpejt nga ky ankth, nga ky krim ndaj jush dhe fëmijëve tuaj”.

“Njësoj si të gjithë qytetarët, ju do të jetoni me dinjitet dhe do t’u shërbeni me dinjitet vetëm qytetarëve dhe ligjit dhe jo pushtetit të radhës”.

Sipas kryedemokratit, “kjo farsë është nul, ky proces është antikushtetues”.

“Sot shqiptarët braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste. Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit”.

Basha nënvizoi se votimet e sotme ishin njësoj si të ishin votime të brendshme në partinë Socialiste.

“Organizata e Rilindjes sot kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe certifikonte vetë. Kjo është parodi tragjike e demokracisë, kushtetutës dhe shtetit të së drejtës. Akoma më tragjik është fakti që edhe pse votimet ishin në çdo element të tyrin, njësoj sikur të ishin votime të brendshme të Partisë Socialiste, ato u karakterizuan nga manipulime masive, përfshi rezultate të paracaktuara, blerje votash, kërcënim për të marrë pjesë, përdorim të burimeve publike dhe administratës shtetërore, votime të shumëfishta nga i njëjti person mbushje kutish dhe shkelje të tjera të rënda”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se “vullneti i qartë i shqiptarëve ka qenë braktisja e votimeve të paligjshme moniste”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...