Valbona Halili: Unë dhe muzika, dy të dashuruar pa pengje mes nesh

Valbona Halili: Unë dhe muzika, dy të dashuruar pa pengje mes nesh
Flet këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme, Valbona Halili: “Muzika e Shqipërisë së mesme është një perlë e tabanit kombëtar. E këndojnë dhe dëgjojnë të gjithë shqiptarët, nga të gjitha zonat e vendit, e duan, është e ngrohtë, e dashur, e ndjeshme. Ndaj shumë këngëtarë e kanë me dëshirë ta këndojnë atë. Unë kam bërë zgjedhjen time, e këndoj ashtu si na e kanë lënë trashëgimi të parët tanë, të pastër e të papërpunuar. Mendoj se është edhe mënyra më e mirë për të ruajtur vlerat tona kombëtare.”

***

Që nga dalja e parë në skenën e Pallatit të Pionierëve, kanë kaluar disa dekada, e sot Valbona Halili mbetet një nga këngëtaret më të ndjekura e të kërkuara të muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme. E rritur në një familje tiranase, me dashurinë për muzikën, këngën dhe instrumentin, pavarësisht studimeve për kanto, Vlabona diti të kuptojë se zëri i saj flinte bukur vetëm në muzikën popullore të tabanit, muzikë që Vlabona Halili ka arritur ta ruajë të pastër e pa lule e harmoni të kopjuara e huazime që dikton komercialiteti. Edhe pse jeton me muzikë, rrit djalin e saj me këngën, Valbona nuk ka pranuar asnjë kompromis. Por mbi të gjitha, këngëtarja e njohur, është një vajzë thellësisht e mirë dhe e edukuar. Korrekte deri në sakrificë. Mjafton të rrëfej që ishte me temperaturë të lartë dhe tejet e rënduar nga virozat e stinës, teksa më dha këtë intervistë. E duke u nisur nga shumë përvoja jo gjithmonë të mira që ne gazetarët e kulturës hasim me korrektesën edhe tek artistët e rinj, kultura qytetare dhe modestia e saj është një vlerë e jashtëzakonshme që plotëson një talent të lindur e që e ka mbajtur kaq gjatë në skenë e në treg.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Vitet kanë kaluar por ju i rezistoni kohës dhe publiku ju do. Si ja keni arritur kësaj?

 

Sa e vërtetë është, kanë kaluar shumë vite si pa u ndjerë. Unë jam në karrierë prej kohësh dhe shpesh as që e kam kuptuar se si vitet kanë fluturuar dhe kam ndjekur rrjedhën e tyre. Jam munduar që të mos bëhem e mërzitshme për publikun, mendoj se kjo duhet të jetë arsyeja që kam publikun tim që më do e i dua.

 

Kur kujtoni fëmijërinë tuaj çfarë aromash dhe vendesh kujtoni?

 

Jam lindur dhe jam rritur në një lagje në qendër të Tiranës, tek Pallatet Agimi, ndaj shpeshherë kujtoj me mall e nostalgji qendrën e Tiranës siç ka qenë, Parkun Rinia ku kaloja më së shumti kohën e lirë, duke luajtur me shoqet e shokët e lagjes. Por nuk mund të lë pa kujtuar edhe aromën e luleve që vinte nga Blloku, një copëz Tiranë e ndaluar për këdo.

 

Si lindi dëshira për të kënduar? E kujtoni daljen e parë në skenë?

 

Kur isha shumë e vogël unë mundohesha të imitoja këngëtaret e njohura të asaj kohe, ndaj mund të them që dëshira për të kënduar më ka nisur që në fëmijërinë e hershme. Ne këndonim së bashku me shoqet e pallatit dhe i kujtoj shpesh ato momente. Por si pasion i kthyer në profesion e kultivova dhe praktikova më pas me frekuentimin e Liceut Artistik në shkollën 8 vjeçare. Sa për daljen time të parë në skenë, nuk kam si të mos e kujtoj me shumë nostalgji dhe dashuri, ka qenë interpretimi i këngës “Tring Zilja” në skenën e Pallatit të Pionierëve.

 

Ju ka mbështetur familja juaj në këtë pasion?

 

Familjen time e kam pasur gjithmonë një pikë të fortë ku unë jam mbështetur dhe përkrahja e tyre pa limit ka qenë një ndihmesë absolutisht e madhe dhe deçizive në karrierën time.

 

Pjesëmarrja juaj në spektaklin e famshëm “12 në Hollivud” ishte edhe impakti i parë juaji me famën dhe publikun e gjerë, si e kujtoni atë kohë?

Menjëherë vendosa të marr pjesë kur mësova për këtë spektakël. Ishte diçka e brendshme që më nxiti edhe sepse ishte një risi për kohën, kishte diçka të magjishme brenda. Hyra në këtë konkurrim me mendimin jo se do të fitoja, sepse ishte dalja për herë të parë në skenë të tillë, por doja të shihja se deri ku arrinin mundësitë e mia. Vija pas një periudhe të rëndë për mua, humbjes së nënës. Dashuria për të, dëshira e saj për të kënduar, ajo ndjesi që kisha brenda vetes, se duhet të arrija diçka, bënë që të gjeja forcat e të prezantohesha sa më dinjitoze në këtë spektakël. Jam pritur shumë mirë, deri në gjysmëfinale. Finalen nuk e preka sepse merrja pjesë në një festival që u zhvillua në Turqi, me një grup folklorik. “More, djalë me sytë e zinj”, “Eja, të lutem”, janë këngët me të cilat kam debutuar.

Spektakli “12 në Hollivud” më dha kurajë dhe shumë nxitje. Ishte për mua prezantimi më i mirë para publikut dhe kështu hodha hapin e kthesës në karrierë. Realizova albumin tim të parë me kompozitorin e talentuar të këngës popullore, Fatmir Lela i cili ishte shtysa që të realizoja këtë album. Ai më futi në këngët e Shqipërisë së Mesme, ku përfaqësohem edhe sot, pa i ndarë edhe trevat e tjera. Kam qenë një nga këngëtaret e para që kam realizuar një album. Sepse atëherë nuk kishin dalë akoma shtëpitë diskografike. Të gjitha tekstet e atij albumi i kam të shkruara dhe kompozuara nga Fatmir Lela dhe të regjistruara tek studioja e Shpëtim Saraçit. Albumi titullohej “Një natë me hënë” dhe pati sukses, si brenda dhe jashtë vendit. Thuajse u përpi dhe më dha krahë për vazhdimësinë.

Po të mos ishit bërë këngëtare, çfarë do ishit bërë?

Tani që po ma bëni këtë pyetje, po e mendoj që pa këngën nuk e di si do të kisha bërë të jetoja e lumtur, por kujtoj që kam pasur pasion të madh edhe baletin. Nuk e di, ndoshta mund të isha bërë balerinë. Por gjithmonë në fushën e artit do të mbetesha.

Lirikat tuaja të dashurisë janë bërë hit-e ndër vite, por cilat janë ato që doni më fort?

Të gjitha krijimet dhe interpretimet e mia i kam si të jenë gishtat e dorës, i dua të gjitha njësoj, nuk mundem të veçoj ndonjë prej tyre.

Por a ka këngë që publiku jua kërkon më shpesh?

Po, ka disa këngë që në aktivitete të ndryshme ose gëzime familjare publiku i ka më për zemër e më kërkojnë t’i këndoj, madje disa herë, si p.sh “Qan lulja për lulen” ose “Në derë du pajtonin”.

Si arrin të përballosh kaq shumë punë e udhëtime?

Realisht është shumë e vërtetë dhe nuk e di se sa publiku që na ndjek e ka idenë se sa sakrifica duhen shpesh nga artistët, veçanërisht nga artistet femra. Kam pasur dhe kam ftesa nga të gjitha anët e botës për koncerte dhe evente, ndihem me fat që njerëzit duan të më kenë në gëzimet e tyre më të rëndësishme, sidomos në mbrëmjet e bashkatdhetarëve tanë nëpër botë. Ndihem e nderuar për këtë por kjo bën që unë të jem shumicën e ditëve në aktivitet ndaj nuk kam aq shumë kohë sa dua të kem, pranë familjes time, kjo gjë sigurisht për një femër nuk është shumë e lehtë. Arrij të organizohem me shumë disiplinë e forcë, si të gjitha femrat shqiptare, mendoj.

 

Vijmë te hit-i i fundit, "Zemrën ma ke borxh", një këngë aq e ndjerë. Si erdhi ajo te publiku?

 Kënga “Zemrën ma ke borxh” është kënga ime më e re, është një produksion i Don Production, me tekst të Gramoz Kozelit dhe Fifit, muzikë të Gramoz Kozelit dhe video nga Pro Chill Video, një hit i fundit për të cilin jam e gëzuar sepse kam marrë shumë komplimente, si nga publiku ashtu edhe nga kolegët. Do ta konsideroja edhe një dedikim ndaj publikut tim, për mbështetjen që më ka bërë gjithë këto vite, për vlerësimet dhe duartrokitjet.

 

E ka përmbushur pritshmërinë tuaj kënga?

 Të them të vërtetën, jo edhe aq sa dua.

 E hijshme por e përmbajtur. Në veshje dhe stil. Zgjedhja juaj kjo?

 Po, veshja, stili, paraqitja që kam në skenë dhe videoklipe janë plotësisht zgjedhja ime personale. Mund të them se këtij aspekti i kushtoj një rëndësi të veçantë dhe tregoj shumë kujdes. Kënga popullore ka kostumin e vet popullor dhe unë jam munduar ta vesh në disa këngë, por dhe te këngët e tjera kam zgjedhur veshje që më përshtaten mua, por edhe llojit të këngëve.

 Jeni një nga zërat më të bukur të Shqipërisë së Mesme. Si arrini ta ruani traditën?

 Muzika e Shqipërisë së mesme është një perlë e tabanit kombëtar. E këndojnë dhe dëgjojnë të gjithë shqiptarët, nga të gjitha zonat e vendit, e duan, është e ngrohtë, e dashur, e ndjeshme. Ndaj shumë këngëtarë e kanë me dëshirë ta këndojnë atë. Unë kam bërë zgjedhjen time, e këndoj ashtu si na e kanë lënë trashëgimi të parët tanë, të pastër e të papërpunuar. Mendoj se është edhe mënyra më e mirë për të ruajtur vlerat tona kombëtare.

 

Jeni nënë e një djali të vogël, çfarë vlerash doni më shumë t'i mëkoni atij?

 Mbi të gjitha dua t’i mëkoj vlera të larta qytetarie dhe respekti ndaj njerëzve dhe familjes. Sigurisht jam e prirur si nënë që ta edukoj me të gjitha vlerat e mirënjohjes dhe dashurisë për punën.

 Jeta juaj mes Tiranës dhe Londrës. Po zemra juaj ku gjen më prehje?

 Pranë familjes time, kudo që ajo ndodhet.

Duke qenë se po vjen stina e verës, ku parapëlqen të pushosh?

Sa herë vjen sezoni i pushimeve unë jam aq e ngarkuar  me  punë, kjo nuk ndodh vetëm me mua por me të gjithë artistët që performojnë live. Por them se është periudha e vjeshtës ajo që preferoj, apo më  mirë e  dimrit. Jemi të kundërt me njerëzit e zakonshëm. E do profesioni ynë këtë sakrificë. Kur të tjerët bëjnë plazh, ne argëtojmë të tjerët. Më pëlqen më shumë t’i bëj jashtë Shqipërisë pushimet sepse dua qetësi, prehje të plotë.

Çfarë nuk ju pëlqen sot në tregun muzikor?

 Të flasim hapur, në treguan muzikor ekzistojnë shumë krijues dhe këngëtarë që nuk i përmbushin kritirete minimale të krijimtarisë muzikore, por tek unë dhe shumë kolegë të tjerë, ky fenomen nuk ndikon në tregun apo audiencën tonë.

Në materialet e mia nuk ka pasur e nuk ka huazime, janë  gjithmonë materiale dhe kompozime të reja, pa lënë mënjanë materialet e vjetra të traditës, të ripunuara ose rivizituara, të mbështetura në tabanin popullor. Këtë e kam kërkuar dhe vetë, por ka qenë dhe zgjedhja e vetë kompozitorëve me të cilët kam bashkëpunuar. Kënga popullore fatkeqësisht ka marrë shumë huazime,  por  është publiku ai  që i  dëshiron  dhe i mirëpret këngët autoktone. Mendoj se ai është lodhur tashmë me këngët e huazuara.

Ka zemra juaj një peng lidhur me muzikën?

 Jo, zemra ime nuk ka pengje me muzikën, pasi ha ha ha jemi dy të dashuruar që në fëmijëri, jemi rritur bashkë, vetëm duhemi.

 Jeni këngëtare por dhe një femër shqiptare. Keni një mesazh ose këshillë për to?

 Do t’i uroja të gjitha bashkatdhetarëve të mia që të mos harrojnë rrënjët nga kanë ardhur, si dhe të luftojnë fort për të mbrojtur me fanatizëm gjuhën dhe traditën e bukur shqiptare.

 Këngëtaret e reja që duan muzikën popullore, çfarë duhet të kenë parasysh?

Së pari duhet të respektojnë traditën pa e cenuar atë. Më tej krijimit mund t;i vendosin çfarëdolloj nuance.

 Keni ndonjë plan në duar, ndonjë bashkëpunim të ri?

Sigurisht që kam në duar disa projekte të reja, si natyrë  unë gjithmonë jam në kërkim të këngëve të mira e me taban, por do të ma falë lexuesi juaj që këto projekte t’i kem për momentin sursprizë, ndoshta edhe për supersticion ha ha ha.