SHQIPËRIA NË ZI/ Përcillet Dëshmori i Atdheut, major Klodian Tanushi

SHQIPËRIA NË ZI/ Përcillet Dëshmori i Atdheut, major Klodian Tanushi
Ditë zie në të gjithë vendin, ndërsa është përcjellë në banesën e fundit major Klodian Tanushi, i cili humbi jetën disa ditë më parë pas shpërthimit të një mine gjatë një stërvitjeje të NATO-s në Letoni.

Flamujt janë në gjysmë shtize në të gjithë vendin, ndërsa në orën 12.00 u mbajt një minutë heshtje në të gjithë vendin.

Edhe Kuvendi i Shqipërisë ka ndërprerë seancën dhe deputetët janë çuar në nderim të Dëshmorit të Atdheut.

Në Muzeun Kombëtar janë zhvilluar homazhet, me praninë e familjarëve dhe tre fëmijëve të majorit të rënë në krye të detyrës.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është përkulur përpara arkivolit të mbuluar me flamurin kuqezi.

“Klodiani ishte në një mision paqeruajtës e jetë shpëtues, e la jetën e tij për të mos lejuar jetë të tjera. Ky është thelbi i të gjitha misioneve paqeruajtëse, i Forcave tona të Armatosura si pjesë e Aleancës së madhe. Është më e lehtë të japësh jetën në çaste ekstreme, kur mësyn armikun sy më sy. Por është tejet e vështirë dhe besoj, edhe sublime të pranosh që jeta jote mund të ndalojë në çdo çast për të shpëtuar jetë të panjohurish. Të pranosh të korrësh nga vdekja në një vend që nuk është Atdheu yt, se duke sheshuar plagën e minave antinjeri, ke dashur të mbjellësh farën e mirë që ushqen jetën”, tha Kryeministri Edi Rama, në një fjalim të shkurtër gjatë homazheve..

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka nuk ka përmbajtur lotët.

“Është shumë e dhimbshme edhe për mua që e kam njohur nga afër këtë ushtarak dhe që besoja se do ia dilte mbanë. Ai nuk ia doli duke na lënë një boshllëk të madh bashkë me humbjen e pakthyeshme. Por, ai është një njeri i rrallë. Majori e përmbushi me krenari misionin e tij, duke sakrifikuar jetën. Majori na la amanetin e fundit “mbi interesat vetjake, të vëmë interesat e gjithë Shqipërisë”. Prehu në paqe të përjetshme heroi ynë, dëshmori më i ri i Atdheut”, tha Xhaçka.

Gjatë shpërthimit të minës në bazën ushtarake “Adazi” më 6 maj, humbi jetën nëntetarja Zarife Hasanaj, ndërsa major Klodian Tanuishi u plagos rëndë.

Ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, me gjithë kujdesin e pandërprerë të stafit mjekësor, dhe ndërroi jetë katër ditë më pas.

Trupi i tij u soll një ditë më parë në atdhe, ndërsa sot u përcoll në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...