Rrjeti i OJQ-ve në Kosovë përkujton punëtorët që vdiqën në vendin e punës

Rrjeti i OJQ-ve në Kosovë përkujton punëtorët që vdiqën në vendin e punës
Në Republikën e Kosovës, rrjeti i OJQ-ve “AVONET”, me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka uruar të gjithë punëtorët për ditën e punës, duke shprehur njëherazi respektin dhe nderimin duke i kujtuar gjithë familjet të cilat kanë humbur familjarët e tyre nëpër vendet e punës.

OJQ “AVONET”, duke iu referuar ditës së punëtorëve, shprehu keqardhje të thellë për gjithë qytetarët e vendit të cilët kanë humbur jetën e tyre në mënyrë tragjike si dhe ata të cilët janë lënduar në vendet e punës, duke shpresuar se në Republikën e Kosovës të mos përsëriten e të mos shkaktohen më vdekje e lëndime të punëtorëve në vendet e tyre të punës.

“Për fatin e keq qytetarëve tanë dhe të shoqërisë sonë, vitin që e lëm pas si dhe në muajt e këtij viti, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të vendit tonë kanë humbur jetën e tyre në vendin e punës si rezultat i nivelit shumë ulët të sigurisë në punë. AVONET, në vazhdimësi është angazhuar në monitorimin e kushteve dhe sigurisë në punë, gjithashtu ka raportuar dhe njoftuar institucionet përgjegjëse si dhe opinionin e gjerë lidhur me aksidentet e rënda në punë, për fat të keq në pjesën e madhe të këtyre rasteve ka pasur aksidente me pasoja fatale për shëndetin e punëtorëve”, - thuhet në komunikatë.