Punon në bujqësi dhe tregti? Paguhesh më pak

Punon në bujqësi dhe tregti? Paguhesh më pak
Nëse punon në bujqësi, tregti apo zejtari, edhe pse mund të lodhesh më shumë se të tjerët, në Shqipëri paguhesh më pak. Kjo pohohet nga vetë ekspertët e statistikave, sipas të cilëve ka një dallim të dukshëm mes pagave të këtyre sektorëve dhe atyre që përfitohen duke punuar në sektorë të tjerë të vendit.

“Në vitin 2018, grup-profesionet me pagë nën nivelin mesatar ishin: punonjës të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit. Por edhe punëtorët e profesioneve elementare; dhe zejtarët, artizanët dhe profesione të lidhura me to”, pohon Instituti i Statistikave, në studimin e tij të fundit për tregun e punës në vend.

Duke shtuar nga ana tjetër se grup-profesionet më të paguara vjet ishin: ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë. Por edhe specialistët me arsim të lartë (profesionistë), si edhe teknikët dhe specialistët në zbatim.

Në shifra konkrete, INSTAT pohon se gjatë vitit të kaluar, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ka qenë në nivelin e 50.589 lekëve. Ku ajo kapërcehet për aktivitetet financiare, ato të sigurimit, administratën publike etj. Dhe Mbetet poshtë saj në sektorë, të cilësuar si më “inferiorë” për pagat, të tillë si tregtia, bujqësia, peshkimi, etj.

Por ndërkaq, ajo që bie në sy në studimin e INSTAT-it është fakti se janë pikërisht sektorët me paga më të ulëta, ata që kanë edhe më shumë të punësuar në radhët e tyre. E duke treguar në këtë mënyrë se janë më të shumtë të punësuarit në rang vendi, ata që marrin një pagë poshtë nivelit të mesatares, prej 50.589 lekësh. Për të mos thënë edhe faktin tjetër, se shumica e të punësuarve edhe në këta sektorë, figurojnë si të vetëpunësuar, pra jo me një pagë fikse. “Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 42.9% dhe 37.4% të të punësuarve gjithsej”, thotë Instituti i Statistikave, lidhur me dukurinë në fjalë.

50.589

Lekë ka qenë niveli i pagës mesatare mujore bruto në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, përllogaritur sipas Institutit të Statistikave