(Para) Gjykimit shqiptar i vjen në ndihmë Luksemburgu!

(Para) Gjykimit shqiptar i vjen në ndihmë Luksemburgu!
Java e 32-të/Europa dhe mbijetesa, ashpërsohet beteja e javëve të mbetura, me objektiva të kundërta. Një nga ndeshjet kryesore të javës do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh të huaj  

Nga Aranit Muraçi

Një fitore e mundshme në Vlorë afron Partizanin pranë titullit kampion, trofe që mund ta arrijë në derbi kundër Tiranës javës që vjen, çka është edhe objektiv i të kuqve. Humbja me Skënderbeun në Korçë e ka bërë edhe më të ashpër garën për vendin e tretë, që siguron një vend në Europa League. Kukësi i vendit të dytë këtë javë merr fitoren në tavolinë ndaj Kamzës, duke blinduar kësisoj vendin e dytë. Para derbit me Partizanin, Tirana pret Skënderbeun, me shpresë fitoren për të siguruar mbijetesën. Kastrioti udhëton në Laç, ku shpreson të rihapë garën e mbijetesës, ndërsa në Durrës Luftëtari përballet me Teutën, dy skuadra me objektiva të kundërta: Europa e mbijetesa.

Ajo çka e bën edhe më të veçantë këtë javë është gjykimi, që vjen nga përtej kufijve.

Java e 32-të e Kategorisë Superiore do të shoqërohet me një risi. Një nga ndeshjet kryesore, ajo që do të luhet në Vlorë, mes Flamurtarit dhe Partizanit, ose ajo e Tiranës, mes ekipit vendas dhe Skënderbeut, do të gjykohet nga një treshe e huaj gjyqtarësh. Kërkesa për të pasur gjyqtarë të huaj nuk është bërë nga asnjë klub, por nga vetë FSHF-ja, pasi ka arritur disa kohë më parë një marrëveshje me vende si Luksemburgu dhe Malta, për të shkëmbyer gjyqtarë, në ndeshje të veçanta, apo kur shihet më e nevojshme një shkëmbim i tillë eksperiencash. “Albanian Free Press” mësoi se kjo praktikë do të zbatohet edhe në javët e mbetura të kampionatit, në ndeshjet vendimtare, apo në ndeshjet që vendosin verdiktet, me qëllim që të shmangen paragjykimet karshi gjyqtarëve vendas, të cilët shpesh bien edhe pre e dhunës prej këtij fenomeni.

Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit bëri me dije se një nga ndeshjet e radhës në Superiore do të gjykohet nga një treshe arbitrash nga Luksemburgu. Më parë për të gjykuar ndeshje të kampionatit shqiptar kanë gjykuar arbitra maltezë.  Falë marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet FSHF dhe Federatës së Futbollit të Luksemburgut për gjykimin e ndeshjeve në kampionatet respektive, dy javë më parë një treshe shqiptare gjykoi në Superligën e Luksemburgut. Bëhet fjalë për kryesorin Juxhin Xhaja dhe asistentë Ilir Tartari dhe Emigers Ganxhi.

Gjyqtari kryesor nga Luksemburgu për ndeshjen e kampionatit shqiptar është Zhiles Beker dhe asistentë të tij Alein Durie dhe David Matues.

Kategoria Superiore

Java e 32-të/4 maj (ora 15:00)

Flamurtari - Partizani

Laçi - Kastrioti

Tirana - Skënderbeu

Teuta - Luftëtari

Kamza - Kukësi