Mjekët shqiptarë dhe nga Ballkani Perëndimor, braktisje shqetësuese

Mjekët shqiptarë dhe nga Ballkani Perëndimor, braktisje shqetësuese
Emigrimi në masë i mjekëve nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian është shqetësues. Një konferencë e Fondacionit "Konrad Adenauer" në Tiranë kërkoi më shumë angazhim nga politika për të kthyer besimin tek sistemet e shëndetësisë

Emigrimi i mjekëve nga Ballkani Perëndimor (BP) drejt vendeve të BE, kryesisht Gjermanisë dhe Zvicrës, vijon me shifra shokuese edhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas një studimi të Fondacionit Gjerman "Friedrich Ebert”, 24% e mjekëve në BP janë gati për t'u larguar menjëherë, ndërsa 54% do të largoheshin, po t'u jepej mundësia. Pjesa tjetër përpiqet të kalojë nga sektori publik në atë privat, ku pagat janë më të larta. Reformat e deritanishme të sistemeve shëndetësore në BP duket se nuk kanë arritur dot të frenojnë largimin e mjekëve. Rajonit, që aspiron t'i afrohet standardeve të BE, po i ikën truri mjekësor.

Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor vitin e kaluar nuk u reflektua në paga më të larta për mjekët. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore edhe pse rritja ekonomike këtë vit parashikohet të arrijë 3.7 % reformat strukturore po ecin me ritme të ngadalta në BP.

Emergjente - ndalimi i emigrimit të mjekëve nga rajoni

Konferenca rajonale,”Sistemet shëndetësore në Ballkanin Perëndimor: sfida dhe vizione” organizuar ditët e fundit në Tiranë, nga Fondacioni "Konrad Adenauer”, ofroi opsione për të dalë nga rrethi vicioz ku ndodhen sistemet shëndetësore në BP. Klaudja Zerva, koordinatore programi në këtë Fondacion thotë për DW se "kthimi i besimit të mjekëve tek sistemi shëndetësor publik është një emergjencë rajonale me dritë të kuqe”.

"Mjekët pohojnë se ata vetë e kanë humbur besimin në sistemin shëndetësor ndaj duan të ikin nga Shqipëria për arsye profesionale dhe ekonomike. E njëjta situatë është edhe në vendet e tjera të BP. Ky mosbesim është tregues se reformat në sistemin shëndetësor në Ballkanin Perëndimor i janë larguar objektivit bazë: shëndetit të njeriut duke ia vështirësuar atij mundësinë për një kujdes mjekësor cilësor, si një e drejtë e garantuar për çdo qytetar”, thekson Klaudja Zerva.

Ndryshimi i politikës së pagave - faktor kyç që mjekët të mos emigrojnë

Që besimi të rikthehet në radhë të parë duhet të ndryshojë dhe modernizohet arsimi i lartë për mjekët dhe politika e pagave. Pjesëmarrësit në konferencën rajonale diskutuan për dizenjimin e politikave të reja lidhur me burimet njerëzore që nga edukimi profesional i mjekëve deri tek siguria dhe motivimi i tyre financiar.

Lulzim Basha, lider i PD dhe i opozitës në Shqipëri, i ftuar në konferencën rajonale të Konrad Adenauer e vlerësoi rritjen e pagave të mjekëve si mënyrën më efikase për të ndaluar emigrimin e tyre."Pa rritje pagash është e pamundur të ndalohet zbrazja e spitaleve nga mjekët dhe studentët e mjekësisë të cilët largohen drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE” theksoi ai.

Por buxhetet modeste të vendeve të Ballkanit Perëndimor për Ministritë e Shëndetësisë lënë hapësira të pakta për financim të qëndrueshëm në kujdesin shëndetësor. Naser Rugova, deputet në Parlamentin e Kosovës, tha në konferencë, se buxheti i shtetit në Kosovë për shëndetësinë, edhe pse është rritur 22 % në krahasim me vitin 2018, mbetet ende i pamjaftueshëm për të siguruar një shërbim cilësor për popullsinë.

Fjalën e ka politika

Emigrimi i mjekëve në Ballkanin Perëndimor dhe mosbesimi i tyre tek sistemi i shëndetësisë në vendet respektive ka të njëjtat shkaqe: paga të ulëta, pamundësi për të ecur përpara në karrierë, për të kryer studime shkencore nga financimet e pamjaftueshme nga buxheti i shtetit.

"Zgjidhja i mbetet politikës. Ajo duhet të jete e shpejte, konkrete për të kthyer besimin tek mjekët dhe pacientët! Mjeket kanë nevojë për garanci profesionale, ekonomike dhe shkencore si parakushte që qytetarët të kenë besim tek sistemi” thotë Klaudja Zerva, koordinatore programi në fondacionin Konrad Adenauer.