Maqedonia e Veriut, parregullsi në zgjedhje

Maqedonia e Veriut, parregullsi  në zgjedhje
 

Në Maqedoninë e Veriut, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) sot pasdite informoi se ka evidentuar parregullsi në disa vendvotime, në lidhje me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Sipas MPB, në shkollën fillore “Nevena Georgieva-Dunja”, jashtë vendvotimit janë gjetur rreth 10 fletushka me përmbajtje në lidhje me zgjedhjet presidenciale. Gjithashtu në rrugën “Kosta Novakoviq” në dy ndërtesa, nga ana e qytetarëve është denoncuar se ka fletushka me përmbajtje për zgjedhjet presidenciale.

“Në orën 12:30 në Komisionin Komunal Zgjedhor në vendvotimin 0764 në fshatin Drugovë, Kërçovë, është denoncuar se J.J me telefon celular e ka fotografuar fletëvotimin. Personi është ftuar në stacionin policor dhe është njoftuar prokurori publik”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndërsa në një vendvotim në Kisella Vodë, personi V.Ç (31) nga Shkupi, nga korridori ka fotografuar bordin zgjedhor. Personi është ndaluar nga zyrtarët policor dhe është dërguar në stacion për procedurë të mëtejshme.

MPB-ja gjithashtu ka regjistruar edhe disa raste të agjitacionit.