Kees Stalman, holandezi që pikturon bukuritë shqiptare

Kees Stalman, holandezi që pikturon bukuritë shqiptare
Intervistë me piktorin holandez, Kees Stalman, ku na tregon pse zgjodhi të jetojë në Shqipëri, mbresat nga ekspozita e tij në Tiranë, dashurinë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Në fillim të marsit, në Muzeun Historik Kombëtar, për disa ditë, kryeqytetasit patën mundësi të admironin ekspozitën “Ripërshkim”, me punime të Anita Duriçit dhe piktorit holandez, Kees Stalman. Një ekspozitë për Shqipërinë ku një holandez dhe një shqiptare janë bërë bashkë për t’i sjellë publikut të Tiranës anën e bukur të Shqipërisë, nga dy penela. Por më shumë, interesant ishte këndvështrimi i një peneli europian mbi bukuritë shqiptare, një dashuri që lexohej mes një artisti të huaj dhe natyrës apo historisë sonë.

Kees Stalman i lindur në Holandë, jetoi dhe punoi atje, deri në vitin 1996, kur ai nisi udhëtimin nëpër botë me bashkëshorten e tij. Në kohën që ka kaluar në Kazakistan, ka bërë shumicën e pikturave, kryesisht pastel. Ai vjen nga një familje krijuese, ku shumica e pjesëtarëve pikturonin, gjë që filloi ta tërheqë që në moshë të re, duke ndërmarrë hapat e tij të parë me lapsa me ngjyra. Duke pasur më shumë përvojë me kalimin e viteve, atë e tërhoqën portretet dhe peizazhet në pastel. Pasi kaloi kohë në Azinë Lindore, i ndikuar nga piktura kineze dhe koreane, me bojëra uji, ai mësoi të pikturojë në ketë teknikë. Duke nisur me piktura imagjinare në kohën e lirë, kuptoi se ajo, në një më mënyrë realiste, flet më tepër për stilin e tij. Atij i la mjaft mbresa natyra shqiptare dhe njerëzit. Kështu rinisi frymëzimi për të pikturuar sërish.

Publicistja Suzana Varvarica e shikon si një Eduard Lir kur thotë: “Kees Stalman, një nga të huajt e shumtë, që punojnë e jetojnë në Shqipëri, me punimet e tij realizuar në akuarel dhe pastel, na sjell në vëmendje Eduard Lir i cili udhëtoi e zbuloi Shqipërinë, përmes grafikave dhe litografive të tij. Nëse punimet e Lir na trashëgojnë pamje të mjediseve shqiptare të shek. XIX, punimet e Stalman do të na trashëgojnë ndjesitë e tij intime të fillim shek. XXI, për të pikturuar me naivizëm pozitiv natyrën mesdhetare shqiptare, kulturën arkitektonike të ndërtesës së besimit dhe dritën e stinëve. Drita e plotë që përfshin pamjet e qyteteve e mjediseve natyrore shqiptare, ka ndikuar dhe ka bërë që Kees të rikthehet tek piktura.

Kees është i dhënë pas peizazhit, zbulon këndvështrime të tij, kompozon objektet më kryesorë dhe lidhet me burimin e dritës. Ai dëshiron të pikturojë çdo detaj dhe kjo është shprehje e një piktori autodidakt - naiv, i cili ka tërheqje të plotë ndaj objektit, detajit dhe tërësisë së ngjyrave lokale të gjendura në mjedisin natyror. Ai i afrohet sa më shumë imitimit të natyrës dhe për ta arritur këtë, krahason ngjyrat e paletës së tij me ato natyrale dhe ndalet kur arrin ngjashmërinë e plotë ndërmjet tyre.”

 

Ju keni ardhur në Shqipëri përpara dy vitesh. Kjo është ekspozita e parë për ju këtu?

Po. Ishte një ide që lindi një vit përpara se ekspozita të realizohej, gjatë bashkëbisedimit miqësor më piktoren që ishte pjesë e kësaj ekspozite, Anita Duriçi. Ne u takuam dhe nuk dinim për njëri-tjetrin se ishim piktorë të dy, filluam të bisedonim në një grup miqsh të përbashkët, më pas u bëmë shokë dhe kur ajo mësoi se unë isha piktor dhe se e doja shumë Shqipërinë, menduam, pse jo, të hapim një ekspozitë së bashku. Ne jemi dy piktorë, por e shohim artin në mënyra krejtësisht të ndryshme. Anita është impresioniste, unë jam realist, por kjo e plotësonte vizionin tonë edhe më shumë.

Ishte interesante, por edhe intensive, sepse unë nuk kisha nisur ende asnjë pikturë për këtë ekspozitë, nuk kisha asgjë gati. Fillova, pra, gjatë gjithë këtij viti të pikturoja. Nuk ishte e lehtë, sepse mua nuk më pëlqen nxitimi, por shpesh kam pikturuar edhe dy piktura në javë. Kur piktura përfundonte, doja të ishte perfekt, në të gjitha rastet kur u rikthehesha më dukej sikur kishte gjëra që mund të ndryshoja.

 

Por kështu, ju jeni një artist tipik, apo jo; autokritik dhe perfeksionit?

Po. Mbi punët e mia, jam tepër kritik. Madje kur më pyesin se cila është puna ime e preferuar, u përgjigjem se nuk është asnjëra. Madje 4-5 punët e fundit, sa herë i shikoj, mendoj se mund t’i bëja edhe më mirë, por që në këtë vit intensiv me pikturën, në muajt e fundit, puna ime erdhi në përmirësim dhe kjo më gëzon. Preferoj të kem vizion kritik mbi artin tim që, kur të shoh pas, në veprat e mia, të mendoj se gjithmonë mund të ndryshoj diçka për mirë. Për një piktor është më mirë të caktojë datën e një ekspozite kohë më parë, që të ketë mundësinë të përfundojë vepra të shumta, që më pas të ketë mundësinë të zgjedhë tablotë më të mira për ekspozitë.

Si ishte të bashkëpunoje me shqiptarët?

Ishte shumë kënaqësi. Në organizim progresi ishte mjaft i mirë dhe të gjithë ishin të sjellshëm. U habita nga kjo dhe mu lehtësuan të gjitha!

 

Tashmë, jetoni në Shqipëri, keni dhe shtëpi. Por di që keni dashur të vinit qysh para 8 vjetësh. U shlyen pritshmëritë tuaja këtu?

Më shumë nga ç’e prisja. Kur erdhëm, ishte maj dhe po kërkonim shtëpi. Pas tre a katër ditësh, menjëherë mendova, unë e dua këtë vend! I dua njerëzit këtu. tre Gjatë tri katër ditëve, nuk e kisha parë ende vendin, por ata që më bënë ta dua, ishin njerëzit. Janë të hapur, miqësorë, bujarë. Shqiptarët më mësuan ta dua Shqipërinë!

Dhe si e zbuluat, pak nga pak, Shqipërinë?

Vendosëm më pas, të jetojmë këtu së bashku me bashkëshorten dhe kjo dashuri u rrit tek unë, çdo ditë e më shumë. Frekuentoj dhe një grup që bën udhëtime dhe “hiking”. Një herë në javë, dalim në zonat malore të rrethinave të Tiranës dhe Krujës për pak ditë. Njerëzit që jetojnë në këto zona janë të mrekullueshëm. Edhe kur ndalojmë të pyesim kur humbim rrugën, njerëzit na sqarojnë, por na ftojnë të hyjmë, të pimë diçka me ta. Mikpritja e tyre më mahnit, gjithmonë! Janë të sinqertë, të ndershëm, bujarë dhe duket që është natyrale, vjen nga brenda, nuk është e shtirur.

Kjo më ndodh edhe në Tiranë, kur dal të blej diçka, njerëzit ndalojnë të bisedojnë me mua, flasin pak a shumë të gjithë anglisht, janë tepër të ngrohtë.

 

Ju jeni holandez. Keni gjetur pika të përbashkëta mes dy vendeve?

Oh, po! Holandezët janë të ngrohtë e të hapur dhe shqiptarët, gjithashtu. Por ngjashmëria më e madhe, lidhet me artin. Janë dy vende të vogla ku artistët janë shumë dhe kanë të njëjtat vështirësi për të eksportuar artin jashtë kufijve, për të shpalosur pasionin edhe përtej vendeve të tyre.

loading...
loading...