Jonida Maliqi shkëlqen në Izrael, në provën e parë (data dhe radha e këngës në Eurovision)

Jonida Maliqi shkëlqen në Izrael, në provën e parë (data dhe radha e këngës në Eurovision)
Jonida Maliqi, para Festivalit Europian të Këngës, Eurosong, po zhvillon provat teksa këndoi në skenën e festivalit këtë mëngjes këngën e saj, “Ktheju tokës”. Jonida dhe ekipi shqiptar ndodhen në Tel Aviv, ku edhe do të prezantojnë këtë vit Shqipërinë, në Eurovizion.

Këngëtarja që fitoi Festivalin në RTSH, veshur me një fustan të zi të zbukuruar me ar, dha një performancë të fuqishme që u pëlqye në Tel Aviv, sipas “eurovision.tv”.

Jonida do të jetë e 14-ta që do të këndojë në gjysmëfinalen e së enjtes më 16 maj në Tel Aviv, në Izrael.

Por kush është Jonida?

Jonida Maliqi është diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë. Ajo ka studiuar për violinë dhe kitarë. Jonida më herët në karrierën e saj ka fituar shumë çmime, duke përfshirë edhe vendin e parë në disa festivale kombëtare të Shqipërisë, si Kënga Magjike.

Jonida përveç të qenit një këngëtare, është gjithashtu edhe prezantuese, në televizionet shqiptare. Me 435.000 ndjekës në “Instagram”, ajo është edhe një influencuese e njohur për publikun, si dhe mbahet një ikonë e modës në vendin e saj.