Fatos Qerimaj: Lufta ime, të mos deformohet shija mbi artin!

Fatos Qerimaj: Lufta ime, të mos deformohet shija mbi artin!
Arkiva e ekselentëve të kulturës shqiptare

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Me pjesëtarët virtuozë të familjes Qerimaj, plot 12 muzikantë profesionistë, është edukuar një pjesë e çmuar e shijes time mbi muzikën. Por mbi të gjitha, më ka mahnitur gjithmonë se si Fatos Qerimaj, pinjolli i kësaj familje të mirënjohur, ka arritur që klarinetën ta çojë në një nivel të lartë si instrument i muzikës klasike dhe kontemporane, e këtë ta përçojë tek publiku. Shkoj ta takoj në Akademinë e Arteve ku është pedagog i Klarinetës. Vendosim që bisedën ta bëjmë duke ecur, sepse kafenetë, e thënë nga të dy, na janë bërë shumë të përditshme...

 

AFP: Ju keni 27 vite si pedagog i Klarinetës, në fillim ju mbaj mend me violinë, si pjesa më e madhe e familjes tuaj; si kaluat tek klarineta?

Unë kam studiuar për violinë, klarineta ishte instrumenti i dytë i imi, në vitin e parë të shkollës së mesme në Liceun Artistik, i ndërpreva studimet për violinë dhe zgjodha të vazhdoja për klarinetë. Ndoshta atëherë bëra këtë zgjedhje sepse klarineta është vegël më e lehtë, nuk kërkon studimin dhe lodhjen që do violina. Isha shumë i ri. Por përveç kësaj, ishte daja im, Ramazan Kaponi, i cili ishte i shkolluar në Pragë, pedagogu i parë shqiptar i klarinetës. Ai është artisti që vendosi bazat e programeve të klarinetës dhe unë pata një ndihmesë të jashtëzakonshme edhe nga familja e tim ati dhe nga ajo e time mëje.

AFP: Klarineta është e konceptuar në Shqipëri vetëm e lidhur me folklorin, me orientalizmin, ndërkohë që është një nga veglat kryesore në muzikën elitare botërore kontemporane. E ke pasur të vështirë të ndryshosh mendësi mbi klarinetën në Shqipëri?

Klarineta është në fakt një instrument që në Shqipëri mendohet si pjesë e traditës, por në konceptin evropian, klarineta është një instrument shumë i avancuar. Kjo pyetje më ngacmon, sepse në thelb ka një të vërtetë. Klarineta nisi si një instrument naiv dhe në muzikën kontemporane është në nivelin e saj më të lartë. Në të tre profilet që klarineta ka, Jaz, Klasik dhe Folklorik, janë nivele të prekura dhe të arritura në nivel shumë të lartë nga artistët botërore, gjë që nuk ndodh me veglat e tjera. Këtu përjashtohet violina, mbreti i veglave dhe piano. Tek klarineta janë arritur nivele të larta virtuoziteti në muzikën kontemporane, sepse është investuar nga kompozitorë të mëdhenj. Kjo gjë nuk është arritur dot as nga violina. Violina bazohet në monumente të papërsëritshme romantike, ndërkohë që në romantizëm klarineta ishte instrument naiv, nuk investoi as Bet’hoveni, Çajkovski etj. Shansi më i madh klarinetës i erdhi nga Moxari, me tre vepra të mrekullueshme dedikuar klarinetës. Në epokën moderne, klarineta hyn sfiduese me kompozitorët amerikanë Kokland, Kejxh, Stravinskin, një epokë duhet të them shumë e ndritur.

Duke e parë klarinetën si tradicionale në Shqipëri, unë kam shumë histori në këtë aspekt. Në fillim të viteve ’90, unë performoja së bashku me familjen në restorantet apo piano-baret e para, ku vinin shumë të huaj shoqëruar me shqiptarë. Sapo bëhem gati të luaj, një vajzë, që dukej e ditur dhe e lexuar, lëshon një shprehje me përbuzje:  “Obobo, po këta me gërnetë do na bëjnë të hamë, kush rri dëgjon gërnetë tani”. Bëra sikur nuk dëgjova e fillova të luaj. Shikoj të huajt që ndalojnë e më ndjekin të mahnitur, me duartrokitjet e tyre u ndez salla. Vajza u skuq nga turpi dhe uli kokën. Ishin vite kur ndiheshim shumë inferiorë karshi të huajve dhe përbuznim çdo gjë të bukur që kishte muzika jonë.

Në këtë drejtim, mendoj se kam dhënë një kontribut të mirë edhe tek studentët e mi që klarinetën ta konceptojnë si një instrument ku ti shpreh edhe kulturën tënde, sepse çdo gjë e huazuar keq nga muzika, qoftë ballkanike dhe jo vetëm, është antivlerë. Unë e respektoj shumë muzikën dhe sentimentin shqiptar, por atë që prodhon vetëm muzika jonë. Është shumë herë më e pastër dhe më e dëgjueshme.

AFP: Talentin tuaj e kanë kërkuar shumë jashtë shtetit. Pse nuk jeni atje? Një pjesë e familjes tuaj jeton jashtë.

Unë kam pasur oferta gjatë kohës kur kryeja specializimin në Spanjë, por kisha familjen, bashkëshorten dhe djalin këtu, e nuk mund ta imagjinoja t’i lija vetëm. Tani kam 16 vite që bashkëpunoj me dy formacione franceze dhe oferta kam shumë, por nuk do ndihesha askund si këtu. Unë e dua publikun shqiptar. Unë e kam ngjitur karrierën edhe duke qenë këtu. Ftesat janë kortezi dhe vlerësim i mirëpritur, por kam reflektuar dhe kam vendosur të mos largohen.

AFP: Kur shikoni sot sallat e koncerteve me mungesë spektatorësh, si ndiheni?

Unë mendoj që mbi të gjitha kemi përgjegjësi ne artistët, që nuk dimë ta bëjmë mirë këtë punë, se i vlerësoj shumë njerëzit që kërkojnë të ndjekin klasiken, por shpesh ata ndjehen pak në ajër. Sepse jemi monotonë, jo kreativë, jo koherentë, janë disa gjëra bashkë që e bëjnë publikun të mos jetë shumë i interesuar të na ndjekë. Pastaj vjen çështja tjetër, bëhen shumë aktivitete të cilat nuk kanë shumë suport idesh apo strategjish. Janë si kioskat. Janë evente pa ide, pa bosht, pa mision, pa prodhim, pa cilësi. Nuk kanë investimin e duhur kohor dhe financiar. Shumë aktivitete bëhen për të kaluar radhën, pa lënë pas asnjë gjurmë për të reklamuar punën tonë. Ajo që mua më vret shpesh është a do të vazhdojë kjo situatë, apo do të mendohet sesi do të mbrohet puna jonë. Unë psh., skandalizohem kur ka evente shtetërore, ose presidenciale, ose festa kombëtare. Ne nuk kemi muzikë për ta veshur eventin. Ngatërrojmë muzikën që duhet të luhet në këto aktivitete ose pritje kombëtare që na përfaqësojnë, luhet “napoloni” kërcehet “pogonishtja” dhe kjo është e tmerrshme, e dhimbshme për një komb që duhet të ketë muzikën e vet të eventeve.

Unë kam një luftë të përditshme. Dhe e di cila është? Lufta kundër deformimit të shijes në art. Është një luftë që nuk di sa do arrij ta nxjerr fituese, por unë do përpiqem. Një ditë po shikonim një këngë shqiptare dhe u them shokëve: sa këngë e dobët, në tekst, në kompozicion. Çfarë thua, - më thotë shoku im artist dhe ai, - kjo këngëtare ka 2 milionë Likes në Facebook... Ja kështu matet arti sot. Por unë nuk i them dot të zezës e bardhë. Kur një këngë apo muzikë nuk ka nivel, nuk ka. Por po deformohet shija në një mënyrë epidemike. Kjo më skandalizon.

AFP: Ju edhe kompozoni, jeni shumë prodhimtar p.sh me muzikën e filmave, si ato artistikë edhe ato të animuar. Po krijoni në këto kohë?

Kam krijuar disa muzika filmash në këtë periudhë me autorë shqiptarë dhe të huaj. Muzika e filmit “Mao Ce Duni”, “Përtej detit” me regji zviceriane, “Letra e re” e Edmond Budinës, në teatër si “Pjata e drunjtë”, disa muzika me Teatrin e Fierit me Pëllumb Kullën, është një pjesë e rëndësishme dhe voluminoze e karrierës time. Në dorë tani kam muzikën e një filmi të animuar të Shaqir Veselit. Ndërkohë janë rreth 45 vepra të kompozuara nga unë në muzikën kontemporane dhe klasike për Orkestrën e Operës, muzikë dhome dhe për formacion jaz.

AFP: Edhe djali juaj shkoi drejt muzikës dhe sot është violinist...

Djali im nuk mund të dilte astronom, shkencëtar, ai është rrethuar nga muzika. Jam i lumtur që është i talentuar dhe racional.

AFP: Por si është një partner jete artist, një baba artist?

Është shumë i vështirë. Një artist ka ëndrra, që kërkon gjithmonë t’i realizojë, por nuk mbetet i vuajtur, sepse kjo gjë e mban të gjallë. Por jemi të vështirë, këtë duhet ta pranoj, sepse kemi gjendje emocionale herë pas here që duhen njohur e kuptuar. Familja ime më ka dhënë shumë, e parë më gjerë. Si Fatos Qerimaj kam pasur një karrierë shumë të mirë, por si pjesëtar i familjes Qerimaj, kam prekur sallat më prestigjioze të botës, ku vetëm kurrë nuk mund të ngjitesha.

AFP: Ndalemi tek festivali “Flauti magjik”, në maj është edicioni i pestë. Jeni në punë e sipër?

Artistët kanë nevojë për skenën për të treguar energjitë e tyre dhe ky festival sipas tij është një alternativë shumë e mirë në ndihmë të tyre. Ky festival udhëton nga klasikja tek xhazi. Prej disa vitesh, ky festival po gjallëron jetën artistike dhe kulturore në Tiranë, një event që edhe emrin e ka të menduar me shumë vëmendje. Sepse del nga kornizat e një eventi të zakonshëm, ambientohet bukur, ka artistë të moshave dhe vendeve të ndryshme, në një magji me ëndrrës dhe realitetit. Më e rëndësishmja, ka cilësi dhe kujdes në përzgjedhje. Emrin festivalit “Flauti Magjik” e kam vënë nga ndjesia që të japin instrumentet të frymës, si klarineta apo flauti dhe e kam marrë nga titulli i veprës së Mozartit dhe lloji i muzikës së interpretuar në këtë festival, ashtu si dhe në këtë edicion të pestë është përzgjedhur për t’u ardhur sa më pranë kërkesave të publikut. Këtë vit, “Flauti Magjik” do të ketë disa risi në inskenime dhe ambientim, që do t’ua rrisin magjinë. Por po i lë surprizë. Më vjen keq vetëm se për këtë edicion nuk e patëm mbështetjen institucionale e i jemi drejtuar biznesit privat për ndihmë. Por pavarësisht kësaj, do të ketë një rezultat me cilësi, si në vitet e shkuara. Në fund, dua të përmend se ky festival vjen si një produkt i “A.C.S & music improvisation”, një shoqatë e krijuar në vitin 2006 me mbi 140 anëtarë emra të njohur të artit të kulturës, që ka si detyrë strategjike parësore ndërtimin e një mjedisi artistik të suksesshëm që t’u shërbejë kërkesave të komunitetit artdashës si dhe pasioneve, dëshirave dhe vullnetit të talenteve të reja për muzikën.

 

 

 

 

loading...
loading...