DEKLARATAT/ Meta: Sukses i reformës në Drejtësi? Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Politikanët, ndërkombëtarët dhe historitë me peshq...

DEKLARATAT/ Meta: Sukses i reformës në Drejtësi? Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Politikanët, ndërkombëtarët dhe historitë me peshq...
Presidenti Ilir Meta ka sulmuar sot publikisht për herë të parë reformën në Drejtësi, duke deklaruar se ajo nuk ka realizuar objektivat dhe nuk ka përmbushur standardet.

“Po flasim për suksese të reformës në drejtësi, i jam shmangur deklarimeve publike, edhe pse me ndërkombëtarët kam folur hapur, por mund t’ju them që nëse do ishte vërtet sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do ishte pa Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese, pavarësisht nga individë të caktuar, ka një histori pozitive. Reforma nuk bëhet me retorikë e presion, bëhet me standarde. Nëse bëhet me emrat asnjëherë nuk ka reformë”, tha Meta.

Presidenti ka ngritur gishtin mbi ndërkombëtarët, duke akuzuar për mungesë serioziteti dhe duke aluduar për “urdhra politikë”.

“Dy herë janë hedhur shortet e KED-së, kam bërë përpjekjet më të mëdha që gjithçka të bëhet në përputhje me kushtetutën. Herën e dytë, si president, duke ditur dështimin e herës së parë ku askush nuk mbante përgjegjësi, përfshi dhe ndërkombëtarët, kërkova angazhim të Euralius, dhe kam folur hapur, më takon si president, që të unifikojmë një qëndrim të përbashkët, mos kemi debate, mos kemi kontestime dhe ditën e fundit Euralius çon përgjigje se nuk vijmë dot në takim se jemi mision teknik, kjo do të thotë se ke marrë porosi politike. Unë nuk e di nga u mor kjo porosi politike. Bëhet fjalë për institucionet e këtij vendi. Kjo nuk mund të jetë drejtësi europiane, nuk do luftojë korrupsionin e krimin e organizuar më shumë, dhe në fund vijoni dëgjoni historitë e peshqve.  Reforma do jetë më e suksesshme kur të kemi më shumë investime amerikane e gjermane.” tha Meta.

Ai ka akuzuar edhe klasën politike për çbërjen e Kushtetutës që, sipas tij, ishte garanci për të mos u përsëritur ngjarje si ato të vitit 1997.

“Kemi krizë serioze në Shqipëri, të cilës nuk mund t’i shmangemi. Pasi vendi pësoi ‘97 për fat të keq, një film që e kanë parë shumë këtu u bë një kushtetutë e jashtëzakonshme, pikërisht se u nxorën mësime dhe u bë për të parandaluar një ‘97. Për të menaxhuar e për të patur instrumente, kriza që mund të dalin jashtë kontrollit. Në 2008 mos harrojmë për dy ditë një kushtetutë e bërë me aq sakrifica ia hoqën të gjitha pikat dhe kaluam nga sistem parlamentar, në një sistem të mbyllur partiak. Kjo është e vërteta pse sot kemi këtë situatë. Ku parlamenti nuk është funksional jo vetëm sepse dy parti kanë lënë mandatet, po ka qenë jo funksional edhe më parë”.

Meta gjithashtu foli për ligjin themelor të shtetit si të paanashkalueshëm.

“Kushtetutën nuk mund ta shkelë askush. Asnjë ambasador dhe asnjë  diplomat”.

Sipas Metës, fjalimet për bashkim të shqiptarëve janë një përpjekje djallëzore për të shmangur vëmendjen nga problemi kryesor: Braktisja e vendeve të Ballkanit nga rinia, në kërkim të një perspektive më të mirë.

“Dëgjojmë shpesh, pse mos bashkohen të gjithë shqiptarët, po natyrshëm pse mos të bashkoheni kroatët, të gjithë boshnjakët etj. Këto delirime janë një diabolizëm i gjallë, një përpjekje e politikanëve për të provokuar tema, për të shmangur vëmendjen nga çështje të brendshme. Dhe shpesh e bëjnë këtë edhe në mënyrë të koordinuar. Dhe ndërkohë çfarë ndodh ikin të rinjtë, nga Kosova, Serbia, Maqedonia, ikin kudo dhe na ftojnë për të parë një film që e kemi parë kudo”.

Deklaratat e forta të Presidentit të Republikës u bënë gjatë fjalimit të tij në konferencën e organizuar nga Shoqata George C. Marshall Shqipëri, me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...