Cilat janë kreditë më të rrezikuara? BSH: Ato për bizneset, në valutë dhe me afat të mesëm

Cilat janë kreditë më të rrezikuara? BSH: Ato për bizneset, në valutë dhe me afat të mesëm
“Cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë për bizneset, kredinë në valutë dhe kredinë me afat të mesëm  maturimi”, është një tjetër dukuri interesante që zbulohet në raportin e fundit të bankës qendrore, shoqëruar edhe me shifrat përkatëse.

“Në muajin dhjetor 2018, raporti i kredive me probleme për secilin nga këto segmente shënoi  përkatësisht nivelet prej 14.3%, 13.1%  dhe 12.5%”, cilësojnë ekspertët. Teksa shtojnë se përveç kredisë afatmesme, të gjitha llojet e kredive sipas subjektit, monedhës dhe maturitetit, kanë regjistruar rënie në raportin e kredive me probleme në krahasim me fundin e 6-mujorit të parë të vitit dhe me një vit më parë.

Madje, shtohet se edhe cilësia e kredisë në valutë të pambrojtur nga kursi i këmbimit është përmirësuar gjatë periudhës, duke vijuar prirjen e nisur që prej vitit 2015.

“Në dhjetor 2018, kreditë me probleme për kredinë e pambrojtur në  valutë shënuan nivelin më të ulët që prej vitit  2009, rreth 13 miliardë lekë”, vlerëson banka qendrore.