Bujqësia, punëdhënësja më e madhe e shqiptarëve

Bujqësia, punëdhënësja më e madhe e shqiptarëve
Shqipëria ka vite që cilësohet si një vend në zhvillim, por mesa duket ende nuk po e lëshon “draprin nga dora”. Kjo pasi bujqësia figuron të jetë sot punëdhënësja më e madhe për banorët e saj. Një gjë e tillë po ndodh edhe pse tregtia apo shërbimet gjithashtu punësojnë mjaft njerëz dhe kanë një kontribut të lartë në ekonominë vendase.

Kjo dukuri konfirmohet nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rezulton se sektori bujqësor ka ende një përqindje më të lartë të të punësuarve në rang vendi, 37.4% të totalit. Dhe aty ku ai është më shumë i përhapur, figuron edhe numri më i lartë i punësimit të popullatës së qarkut. Anasjellas, në qarqet më të zhvilluara që kanë industri apo shërbime më të përparuara, të punësuarit figurojnë të jenë më të pakët.

Sipas një analize të INSTAT-it mbi baza rajonale, tregohet se vitin e kaluar qarqet me shkallë punësimi më të lartë për popullsinë kanë qenë Elbasani me nivelin prej 61.5% dhe Korça me 59.5%. Mund të thuhet se pikërisht në këto dy qarqe numërohet edhe numri më i lartë i personave që merren me bujqësi. Kështu, 67% e të punësuarve në total në Elbasan merren me bujqësi, kurse në qytetin juglindor më shumë se gjysma e tyre, rreth 53%.

“Në vitin 2018, në qarkun e Tiranës, punësimi në bujqësi zë një përqindje shumë të vogël të punësimit gjithsej, 7%. Pjesa më e madhe e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve, 66% dhe një peshë të konsiderueshme zë edhe industria, 27%”, cilësojnë ekspertëtv e INSTAT-it lidhur me dukurinë në fjalë. Për të zbuluar kështu një lidhje të fortë mes numrit të të punësuarve në tërësi dhe zhvillimit të bujqësisë në një zonë të caktuar të vendit tonë.

“Qarqet me shkallë papunësie më të lartë janë ai i Vlorës me nivelin prej 21.9% dhe ai i Lezhës me nivelin prej 19.2%”, pohojnë ekspertët e INSTAT-it. Janë pikërisht këto dy qarqe me nivelin ndër më të ulët të atyre që merren me bujqësi, në shifrat prej 33% dhe 35 të totalit të të punësuarve