BSH: Kthimi i ekonomisë në ekuilibër kërkon kohë

BSH: Kthimi i ekonomisë në ekuilibër kërkon kohë
Edhe pse ekonomia vendase parashikohet të ketë një ecuri pozitive për muajt në vijim, kthimi i saj në ekuilibër do të kërkojë një kohë të caktuar. Ky fakt është pohuar dje nga vetë kreu i bankës qendrore, sipas të cilit kjo ndodh si pasojë e faktorëve negative nga ekonomitë evropiane. Por edhe faktorë të tjerë të brendshëm, si efektet negative nga kursi i këmbimit, etj. “Në raport me parashikimet e kaluara, kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe i inflacionit në objektiv janë shtyrë lehtë në kohë. Ky rishikim është ndikuar më së shumti nga parashikimet më pesimiste për ekonominë e huaj”, tha konkretisht Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Duke shtuar se në të njëjtën kohë, kjo reflekton edhe goditjet e çmimeve të konsumit, por edhe efektet frenuese që vijnë nga kursi i këmbimit. “Rreziqet mbizotërojnë horizontin e parashikimit. Ato lidhen më së shumti me pasiguritë në ambientin e jashtëm, kohëzgjatjen dhe impaktin e forcimit të kursit të këmbimit në inflacion, qëndrueshmërinë e rikuperimit të kredisë bankare”, ka theksuar kreu i BSH-së. Pa harruar të theksojë në këtë këndvështrim se rreziqet që po shfaqen në ekonominë shqiptare kanë lidhje edhe me “situatën e tensionuar politike në vend”.

Gjithsesi, përveç këtyre paralajmërimeve, Sejko ka pohuar se në tërësi për parashikimet mbeten pozitive. Dhe për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë doli dje me vendimin për të mos ta ndryshuar normën bazë të interesit për monedhën vendase, lekun, duke e lënë në nivelin aktual prej 1%. “Por duke gjykuar mbi skenarin bazë dhe rreziqet, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se normalizimi i politikës monetare do të jetë mjaft i kujdesshëm. Ndërkohë që Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë ndaj goditjeve të mundshme”, konkludoi kreu i bankës qendrore.

1%

Mbetet norma bazë e interesit për monedhën vendase, lekun, e rikonfirmuar dje nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi nuk është marrë ndonjë vendim për uljen e saj