Aktorët shqiptarë - VIP jashtë, të panjohur në Shqipëri

Aktorët shqiptarë - VIP jashtë, të panjohur në Shqipëri
 

 

I pari ka qenë Aleksandër Moisiu. Më pas njohim jehonën e Uliksit, të Bekim Fehmiut. Por në kohët moderne jemi mësuar të lexojmë lajme e të krenohemi me James Belushin, me Eliza Dushkun, me Blerim Destanin apo Nik Xhelilajn. Aktorë të njohur në botë, të njohur edhe në Shqipëri. Sa herë shkelin truallin e lindjes apo origjinës, jehojnë agjencitë e lajmeve dhe studiot televizive. Por, nga një vëzhgim më i thellë, mësojmë se janë shumë më tepër aktorët që përtej kufijve, kanë ecur në karrierën e tyre në kinema apo serialë televizivë në Europë apo Shtetet e Bashkuara. Ata ose njihen fare pak ose aspak. Kur vijnë në Shqipëri, përbëjnë vetëm pak rreshta ose vijnë me pushime dhe largohen pa zë.

Nuk e dimë nëse është zgjedhje e tyre mungesa e ndikimit në realitetin dhe informacionin shqiptar ose menaxhim i mirë i kolegëve të tyre të njohur nga ana e agjentëve, pjesë e industrisë së kinemasë. Por, duhet thënë se, ngjall shumë habi fakti se për një vend të vogël si Shqipëria, nuk janë pak dhe përtej oqeanit njihen si shqiptarë, ndërkohë që vetë ne, thuajse, nuk dimë gjë për ta.

Janë parë gjithmonë me kureshtje, artistët shqiptarë të cilët, me punën e tyre të jashtëzakonshme, por edhe me shumë fat, kanë arritur të jenë pjesë e industrisë së filmit. Kjo është meritë për t’u vënë në dukje, duke pasur parasysh sa e vështirë është karriera në mjedise tepër të konsoliduara si në Hollivud ose studiot europiane, të cilat kanë traditë të vjetër dhe janë mjaft përzgjedhës.

“Albanian Free Press” ju njeh me disa prej këtyre aktorëve të njohur përtej kufijve, por që në vendin e tyre të origjinës, nuk njihen thuajse fare.

 

James Biberi

 

I lindur në vitin 1965 në Kosovë, 51-vjeçari, James Biberi është aktor, producent dhe regjisor i njohur. Ka spikatur në rolet e filmave “Drive” në vitin 2011, “Definitely” dhe “Maybe” në vitin 2008, “The Hoax” në vitin 2006.

Pavarësisht se ka lindur në Kosovë, në moshën 2-vjeçare u shpërngul në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku jeton edhe sot.

 

Masiela Lusha

 

Masiela Lusha, e njohur sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aktore dhe shkrimtare, e nisi karrierën si modele. Lindur në vitin 1985 në Tiranë, më pas jetoi në disa vende të Europës si Hungari, Austri e më pas u vendos në Michigan, në moshën 7-vjeçare. Masiela flet, rrjedhshëm, katër gjuhë. Zbulohet si aktore nga Ben Affleck, në moshën 13-vjeçare, midis 600 aktorëve të vegjël dhe spikati në filma si seriali “George Lopez”, “Clifford’s Puppy Days”, “My father’s Eulogy”, “The last vampire”, “Muertas” etj. Është autorja më e re në botë e cila në moshën 12-vjeçare, botoi një libër dygjuhësh.

 

Arben Bajraktaraj

Aktori i njohur me nënshtetësi franceze, por me origjinë shqiptare, Arben Bajraktaraj, është pjesë e Hollivud-it prej shumë vitesh. I njohur për rolet e tij në filmat e njohur “Taken” në vitin 2008, “Harry Potter and the Deathly Hallows” në vitin 2010, dhe “Harry Potter and the Order of the Phoenix” në vitin 2007. Shquhet për rolet e tij karakteristike, me konotacione negative.

 

Peter Malota

Aktori shqiptar i lindur në Mal të Zi, i njohur ndryshe me emrin Pjetër Lulgjuraj, vjen nga një fshat i vogël nga ku shpërngulet për në Detroit e më pas në Los Angeles, vetëm me qëllimin për t’u shkolluar të bëhej aktor. Për 18 vite me radhë, u stërvit në artet marciale dhe në koordinimin e tyre në film. Është aktor dhe “stuntman” në shumë filma në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka filluar bashkëpunimet e tij qysh në vitin 1990, me Jean Claude Van Damme, në filmin “Double Impact”. Ky bashkëpunim vazhdoi me të tjerë filma, si “Universal soldier”, “Nowhere to Run”, “The Quest”, “Desert Heat”, “Universal Soldier the Return”, “Replicant”, “The Order” dhe “Kumite”. Konsiderohet si një nga producentët më të njohur në Hollivud, në filmat me aksion.

 

 

Victor Gojcaj

 

Aktori 36-vjeçar, i cili jeton në Detroit, u zbulua nga regjisori i madh, Tony Scott, teksa shëtiste nëpër New York në kërkim të talenteve për filmin “The Taking of Pelham 1 2 3”. Fiziku, agresiviteti dhe ekspresiviteti i të riut 24-vjeçar në atë kohë, ra në sy menjëherë. Në ato vite, Victor Gojcaj ishte vërtetë një kapobandë në rrugët e New York-ut. Më pas aktori do të shkëlqente në krah të John Travoltës, në disa role.

 

Robert Belushi

Djali 36-vjeçar i aktorit të madh, Jim Belushi, ka vazhduar në gjurmët e të atit pasionin për aktrimin. I spikatur në rolet e tij, në filmat “Sorority Row” në vitin 2009, “One small Hitch” në vitin 2013 dhe “Valentin’s day” në vitin 2010. Është nderuar me çmim si aktori më i mirë jo protagonist në vitin 2007, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tenerife, me rolin në filmin “Riff Raff”.

 

Evis Xheneti

Lindur dhe rritur në Tiranë, Evis Xheneti në moshën 15-vjeçare, së bashku me nënën dhe të motrën, shpërngulen për në New York të SHBA. Që në vitin 2005, dashurohet me kitaristin e njohur James 'Munky' Shaffer, me të cilin më pas lidh jetën dhe sot kanë dy fëmijë. E njohur në rolet e saj në filmat “Catch me if you can” në vitin 2002, “Almost famous”në 2000, dhe “My sexiest year” në 2007.

 

Laureta Meci

 

Laureta Meci, 39-vjeçare, ka lindur në Kuçovë ku jetoi deri në përfundim të shkollë së mesme. Në vitin 1995, familja e saj emigron në Greqi, nga ku ajo largohet për të vazhduar studimet e larta në SHBA në vitin 1998.

Laureta Meci frekuentoi në New York të famshmin “Stella Adler School of Acting”. Është e përfshirë në shumë projekte në telefilma dhe në publicitete të markave të njohura si aktore dhe modele.

 

Andamion Murataj

Andamion Murataj është aktor, skenarist, producent dhe regjisor me origjinë shqiptare, i cili jeton në New York. I njohur për skenarin e filmit “The Forgiveness of blood”. Ai u rrit në Tiranë, në një familje artistësh dhe kineastësh. Pas jetesës disa vite në Greqi, emigron në SHBA, ku vazhdon studimet në American University në Washington D.C.

 

Agim Kaba

Miqtë dhe artistët e thërrasin “Sonny” dhe jeton në New York ku edhe ka lindur e është rritur nga prindër me origjinë shqiptare. Më parë, kampion në futboll në ekipin e Florida-s ku dhe vazhdoi universitetin.

Që gjatë viteve të universitetit, filloi të interesohej për artin dhe modelingun, me të cilin u mor për 3 vite, duke punuar për agjenci të mirënjohura si “Guess”. Më pas filluan rolet në telefilma si në "As the World Turns" për të cilin u nderua edhe me çmim si dhe në “CSI:NY”. Sot aktor në filma me buxhet të vogël dhe filma aksion indianë.

Dritan Biba (Brahimllari)

Lindur në Tiranë, Dritan Biba u shkollua plotësisht në Tiranë, në fillim për muzikë e më pas në Akademinë e Arteve të Bukura. Pas studimeve emigron në Spanjë ku ushtron një aktivitet të gjerë në film dhe teatër, prej shumë vitesh, duke bashkëpunuar me kompanitë më prestigjioze të tetarit dhe filmit. I njohur në ekranin e madh spanjoll me filmat “El sonador” në vitin 2004, “Bulgarian Lovers” në 2003 ose në “Kidnapped” në vitin 2010.

 

Uliks Fehmiu

Pasardhësi i aktorit të madh, Bekim Fehmiu, Uliksi i cili mban emrin e rolit më të njohur të të atit, ka lindur në Serbi, në Beograd. Sot ai jeton në SHBA, me të shoqen Snezana Bogdanovic, të vëllanë dhe të bijën. Ai është aktor dhe producent në SHBA, pas një karriere të gjatë në film në Serbi.

Është aktor dhe bashkëproducent në filmat “White White World” në 2010, “Tomorrow Morning” në 2006 dhe “Redemption Street” në 2012.

 

Enver Gjokaj

Djalë i një babai shqiptar të emigruar në Jug të Kalifornisë, dhe një nëne amerikane, Enver Gjokaj është i njohur për rolin e Victor në “Dollhouse” , "The Avengers" dhe “Agent Carter”. Enver Gjokaj ka një vëlla binjak identik, Demirin, me të cilin kanë mbaruar të gjitha studimet bashkë në Kaliforni e, më pas, Gjokaj u shqua në studime dhe u vlerësua me titullin “Master of Fine Arts” nga New York University.

 

 

 

 

 

loading...
loading...