“5-Maji”, Veseli e Djimsiti “heronjtë” kuqezi në Itali

“5-Maji”, Veseli e Djimsiti “heronjtë” kuqezi në Itali
Seria A/ Atalanta e dy lojtarëve kuqezi, Berat Djimsiti e Etrit Berisha, me fitoren 3-1 kundër Lazio, shkruan historinë, duke marrë vendin e katërt që i siguron një biletë në Champions. Empoli i Federik Veselit siguron tre pikë mbijetese, me mbrojtësin kuqezi në një ditë të shkëlqyer

Nga Aranit Muraçi

Në vendin tonë, dita e djeshme ishte edhe Dita e Dëshmorëve. Një ditë gati heroike  mund të konsiderohet ajo e dy mbrojtësve të Kombëtares shqiptare të Seria A, Berat Djimsiti e Frederik Veseli, pas fitoreve që i afroi ekipet e tyre pranë një objektivi që edhe tifozët nuk e besonin

Frederik Veseli ishte titullar dhe zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në fitoren 1-0 të Empolit, kundër Fiorentinës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të të Seria A. Farias shënoi në 34’ dhe kjo fitore e mban në zonën e ftohtë Empolin, por dy pikë larg Udinezes e tre pikë pas Genoa. Pas fitores së Empolit janë këto dy ekipe që po ndiejnë presionin e rënien, ndërkohë që Frosinone e Chievo i kanë mbyllur me kohë llogaritë e zbritjes në Seria B.

Ndërkohë që ishte po dje edhe Atalanta bëri mrekullinë në javën e 35-të, duke fituar 3-1 ndaj Lazio, në një ndeshjen direkte për Champions. Fitorja e ngjiti Atalantën në vendin e katërt, me 62 pikë. Golit ta Parolo për vendasit iu përgjigj Zapata që barazoi shifrat në pjesën e parë. Pas një pjese të  dytë të shkëlqyer për miqtë, Atalanta e dërgoi edhe dy herë të tjera topin në portën e portierit kuqezi, Thomas Strakosha. Atalanta, siç u pa edhe më e përgatitur fizikisht, përmbysi gjithçka, me Castagne e për të vulosur rezultatin mendoi Berat Gjimshiti, që devijoi me kokë topin, ndonëse kishte diskutime se ai u prek edhe nga një kundërshtar dhe mund të ishte autogol. Gjithsesi, ishte meritë e Djimsiti, për golin e sigurisë. Titullar dhe protagonist mbrojtësi kuqezi, Berat Djimsiti, luajti 90 minuta në një ndeshje historike për të besuarit e Gian Piero Gasperini. Për Atalantën, portieri tjetër kuqezi, Etrit Berisha, qëndroi 90 minuta në stol.

Roma është skuadra që kërcënon momentalisht pozitat e Atalantës, në zonën Champions, por në javët e mbetura. Një fitore e mundshme ndaj Bolonjës do ta afronte Romën 1 pikë larg Atalantës, ndërkohë që Milan ka ende ambicie. Juve, Napoli dhe Inter kanë blinduar tre vendet e para. Lazio, që  i është larguar zonën Champion në fundin e këtij sezoni, shpreson të fitojë finalen e Kupës së Italisë, për të dalë me një trofe.