Zbardhet plani i PD, si do të pengohen zgjedhjet lokale

Zbardhet plani i PD, si do të pengohen zgjedhjet lokale
Partia Demokratike mbledh Këshillin Kombëtar, miratohen vendimet. Pranohet hyrja në zgjedhe lokale nëse Rama lë qeverinë, nuk kërkohen më zgjedhje të parakohshme. Megjithatë Basha nuk lë pa e përmendur këtë opsion. Protestat, jo më sa herë ka seanca plenare, strategjia e re që do të ndjekë opozita

Partia Demokratike ka nisur tërheqjen nga kërkesat laksative që kishte ngritur në dhjetë protesta rresht bashkë me LSI dhe aleatët e tjerë opozitarë, duke mos shtruar më opsionin e zgjedhjeve të parakohshme.

Forca kryesore e opozitës mblodhi dje Këshillin Kombëtar për të përcaktuar si do të jetë aksioni opozitar në vijimësi. Ky Këshill vendosi të shtrojë si kërkesë që zgjedhjet lokale të 30 qershorit të zhvillohen pa Edi Ramën kryeministër, nëpërmjet një qeverie tranzitore.

“Këshilli Kombëtar ka vendosur që Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave”, - thuhet në deklaratën zyrtare të Këshillit Kombëtar të PD, ku dukshëm shihet se nuk ekziston më kërkesa për zgjedhje të parakohshme.

Megjithatë, PD evidenton në deklaratë se ka një plan konkret për të penguar zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor, nëse deri atje shkohet me Edi Ramën kryeministër.

“PD angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”.

Nga ana tjetër, Këshilli Kombëtar i PD ka vendosur “të mandatojë kryetarin e PD dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë e opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

E ndërsa PD në vendimin e Këshilit Kombëtar nuk përmend zgjedhje të parakohshme parlamentare, z.Basha dje pas mbledhjes që drejtoi, nuk la pa e përmendur kur u pyet nëse pranon ftesën që shtroi dje Edi Rama nga Parlamenti për dialog për reformën zgjedhore. Basha tha: “Parakushti për një dialog të vërtetë dhe jo tallje me shqiptarët, është largimi i Edi Ramës, që t’i hapë rrugë dialogut politik, që do të çojë drejt një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”.