VENDIMI/ Shkelje dhe abuzime, qeveria prish 17 kontrata HEC-esh

VENDIMI/ Shkelje dhe abuzime, qeveria prish 17 kontrata HEC-esh
Një proces monitorimi i ndërmarrë nga Ministria e Infrastrukturës ka gjetur shkelje të rënda në disa kontrata për ndërtimin e HEC-ve të vogla me koncesion. Kjo u bë me dije nga zëvendës-ministri Hantin Bonati, sipas të cilit nga vijimi i procesit të skanimit, kanë rezultuar dhe 9 raste të tjera të shkeljeve të kushteve kontraktuale nga ana e subjekteve, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës.

Deri më sot, numri total i praktikave për të cilat ka filluar procesi i ndërprerjes në mënyrë të njëanshme të kontratave koncesionare shkon në 17 raste.

“Procesi i skanimit të situatës mbi korrektësinë e zbatimit të detyrimeve kontraktuale nga ana e subjekteve që kanë përfituar kontrata për ndërtimin e HEC-eve ka vijuar me ritme të shpejta, sipas planit të hartuar nga Ministria e Infrast0rukturës dhe Energjisë”, tha gjithashtu përfaqësuesi i këtij dikasteri.

Ndërkaq, nga problematikat e identifikuara deri më sot, më frekuentet janë: Mosrespektimi i afateve procedurale dhe mosrespektimi i kushteve ligjore dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara.