Vendimi i Holandës përçan politikën

Vendimi i Holandës përçan politikën
Përveç ngërçit të krijuar në vend prej muajsh, mazhoranca e opozita dje janë kundërvënë edhe për çështjen e rikthimit të regjimit të vizave nga Holanda 

Sikur të mos mjaftonte situata aktuale politike, e cila është agravuar prej kohësh, mazhoranca dhe opozita dje kanë krijuar përplasjen e radhës edhe për zhvillime të asaj jashtë vendit. Kështu, vendimi i fundit i parlamentit holandez për rikthimin e regjimit të vizave ndaj Shqipërisë është interp-retuar në mënyra të ndryshme nga përfaqësuesit e mazho-rancës dhe të opozitës në vend. Për të parët, nuk ka aspak një betejë të Holandës kundër shqiptarëve dhe se ajo nuk do të ndikojë tek ata. Kurse për të dytët, një vendim i tillë nuk tregon gjë tjetër, veçse fundin e qeverisë...

 

***

Kryediplomati: Presim që KE ta rrëzojë parlamentin holandez

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj tha dje për mediat se mocioni për vizat nga parlamenti holandez nuk është final. Duke shtuar se ekziston një arbitër edhe më i lartë që vendos dhe ky është Komisioni Europian.

“Vendimi i marrë nga parlamenti holandez është i motivuar politikisht. Kjo për shkak të zgjedhjeve në Holandë, ku ka parti me qaje përjashtuese ndaj vendeve që nuk janë anëtare të BE dhe ka rritje të populizmit të djathtë. Në këtë vendim të parlamentit holandez ndikon rritja e kërkesave për migracion, si dhe rritja e kërkesave për azil. Faktor tjetër është edhe cenimi i sigurisë së publike të Holandës dhe shteteve të tjera në BE. Presim që Komisioni Europian të japë përgjigje negative ndaj vendimit të parlamentit holandez. Vendimi i marrë nga parlamenti holandez nuk duhet të cënojë për asnjë moment raportet mes Holandës dhe Shqipërisë”, tha ai. Duke përfunduar se nuk ka tërheqje të liberalizimit të vizave për shqiptarët.

 

Braçe: Nuk ka betejë të Holandës kundër shqiptarëve

Zv/ kryeministri Erjon Braçe, duke reaguar dje lidhur me votimin e bërë në parlamentin holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë, tha se nuk ka asnjë betejë të Holandës kundër shqiptarëve, por betejë të Lulzim Bashës kundër shqiptarëve. Sipas tij, vizat nuk do të rikthehen për ta. Më tej, ai shton se kjo “dëshmon në mënyrë të qarte se ka një betejë kriminale të Bashës kundër shqiptarëve”. “Kërcënimet e tij se do të ketë të tjerë parlamente që do marrin të njëjtin vendim, dëshmojnë se ecejaket nëpër zyrat politike të partive të ekstremit të djathtë e deri raciste, janë beteja e përditshme kundër shqiptarëve. As që e diskutoj se qeveria ka problemet e saj në administrim e shërbim ndaj qytetarëve. Me to po merremi dhe fort madje, duke pastruar dhe modernizuar, apo shërbyer”, tha Braçe.

 

Kryemadhi: Kjo është një vulë dështimi

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ka akuzuar dje kryeministrin Rama se po e mban me vetëdije vendin larg Evropës. Ndërkohë që për shqiptarët sipas saj, një gjë e tillë do të thotë izolim, mungesë punësimi dhe rritje mirëqenie. Duke komentuar vendimin e parlamentit të Holandës për rikthimin e regjimit me viza, ajo shtoi se kjo është një vulë dështimi e Ramës që e vuri vetë Holanda.

Madje theksoi më tej se një gjë e tillë rrezikon të pasohet në një proces zinxhir, që pret të reflektohet edhe në vendimin e qershorit për negociatat e vendit tonë me Bashkimin Evropian. “Nuk ka më kohë për të pritur, vetëm reagim përfundimtar përballë kapjes së shtetit nga krimi i organizuar”, nënvizoi Kryemadhi.

 

Paloka: Deputetët holandezë nuk janë racistë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar dje ndaj komenteve që po bëhen së fundmi mbi vendimin e regjimit të vizave prej Holandës. "Tani duhet ta ndajnë mendjen: deputetët holandezë ose janë racistë, ose janë shoqni e Bashës siç thotë “kryeintegratori” i tyre, i cili integrimin duket se e ka patur trendin e jetës që në rininë e tij”, ka ironizuar ai.