Vatra, çmim për librin e Qafokut, “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”

Vatra, çmim për librin e Qafokut, “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”
Pas seleksionimit për shkak të kritereve të paravendosura, u përzgjodhën 27 prej konkurruesve për t'iu nënshtruar gjykimit përfundimtar të Jurisë për çmimet

Libri i gazetari Roland Qafoku “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar” nderohet në New York të SHBA nga shoqata “Vatra” me çmimin “Libri më i mirë në 110 vjetorin e gazetës “Dielli”.

Në një ceremoni gala dhe pas konferencës shkencore për 110 vjetorin e gazetës “Dielli”, një juri profesioniste vlerësoi me 5 çmime gazetarë, studiues, shkrimtarë dhe aktivistë të çështjeve të ndryshme.

Gazetari Roland Qafoku u vlerësua me këtë çmim për botimin e një libri të një zhanri krejt të ri të medias shqiptare, për trajtimin e shumë ngjarjeve të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar si dhe shtrirjen e tyre në kohë.

Në konkursin e organizuar nga Vatra dhe redaksia e “Diellit” morën pjesë 52 autorë, me esse, artikuj studimorë, reportazhe, libra për editorët e Vatrës, libra historikë, monografi, poezi, etj.

Pas seleksionimit për shkak të kritereve të paravendosura, u përzgjodhën 27 prej konkurruesve për t'iu nënshtruar gjykimit përfundimtar të Jurisë për çmimet. Juria përbëhej nga: Dalip Greca, kryetar; Merita B. McCormack, nënkryetare, Bujar Skëndo, sekretar, si dhe anëtarë: Idriz Lamaj, Alfons Grishaj, Rafaela Prifti, dr. Arjeta Ferlushkaj. Kjo juri votoi në mënyrë të fshehtë gjatë takimit përfundimtar në Manhattan dhe me shumicë votash vlerësoi me çmime:

1- Çmimi i Gazetës "Dielli" për Reportazhin më të Mirë", u fitua nga Mal Berisha me "Dielli që ngroh vatrën" dhe gazetari Sinan Kamberaj me "Në shtëpinë e Edgar Poe-Korbi-Noli".

2. Çmimi i Gazetës "Dielli" për Studimin më të Mirë iu dha gazetarit Rafael Floqi për "Divergjencat mes Nolit dhe Konicës në dritën e Diellit". Këtë çmim e mori dhe Erestina Halili (Gjergji) për "Editori dhe dramaturgu - rasti Kristo Floqi", si dhe Thanas Gjika me "Vështrim Krahasimtar në studimet e Sotme për Faik Konicën".

3. Çmimi i Gazetës "Dielli" për Esenë më të Mirë" iu dha Lindita Komanit me "Noli i Kuptuar"; Neka Doko me “Noli, Konica & Dielli", dhe Megi Përmeti - stërmbesë e Aqif Përmetit për esenë “Në gjurmët e Ish Komandantit të Forcave Vullnetare të Vatrës, menaxherit të Diellit, Aqif Përmeti".

4. Çmimi i Gazetës "Dielli" për Librin më të mirë kushtuar editorëve iu dha Fotaq Andreas me "Faik Konica për Një Shqipëri Europiane - Antologji", Anton Çefa" - “Fjala shqipe si zjarri i shenjtë” dhe Andon Andoni "Kostë Çekrezi... I treti i Munguari".

5. Çmimi për librin më të mirë për 110 vjetorin e Diellit iu dha gazetarit Roland Qafoku për "100 Vrasjet më të Bujshme në Historinë e Shtetit Shqiptar", si dhe Entela Komninos për “E Vërteta për Fan S. Nolin"; si dhe Nikollë Loka e Nikolin Kurti me "I lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire".