UDHËZIMI I RI/ Ndryshojnë datat e provimeve të lirimit për klasat e 9-ta

UDHËZIMI I RI/ Ndryshojnë datat e provimeve të lirimit për klasat e 9-ta
Dokumenti më i fundit i miratuar nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, saktëson se gjuha e huaj si provim kombëtar i arsimit bazë nuk do të zhvillohet në datën 10 qershor, por tre ditë më pas.

Ndryshe nga sa ishte parashikuar më herët në udhëzimin e pak muajve më parë sa i përket provimeve të nxënësve të klasave të 9, dokumenti më i fundit i Ministrisë së Arsimit për cakton se  provimet e lirimit do të nisin në datën 13 qershor. Udhëzimi më i fundit i miratuar nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, saktëson se gjuha e huaj si provim kombëtar i arsimit bazë nuk do të zhvillohet në datën 10 qershor, por tre ditë më pas. Tashmë të gjitha drejtoritë arsimore kanë udhëzimet përkatëse në lidhje me informimin dhe organizimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë. Pas testit të gjuhës së huaj, nxënësit do i nënshtrohen provimit të dytë që do të zhvillohet në datën 18 qershor përkatësisht në lëndën e gjuhës shqipe. Provimet e klasave të nënta do të mbyllen me lëndën e matematikës, e cila do të zhvillohet në datën 21 qershor.

Për nxënësit e pakicave kombëtare bëhet e ditur se do të zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në gjuhën amtare. Testimi për këtë lëndë do të zhvillohet në datën përkatësisht në datën 14 qershor. Për shkollat e pakicës greke, teza e për provimin e gjuhës amtare përgatitet nga institucioni arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar në Gjirokastër. Në ditën e provimit institucionet përgjegjëse për arsimin parauniversitar në Delvinë dhe në Sarandë do të paraqiten në drejtorinë e Gjirokastrës për të marrë testet që do të plotësojnë nxënësit në lëndën e gjuhës amtare.

Ndërsa për shkollat e pakicës kombëtare Maqedonase, testet do të tërhiqen në drejtorinë e Korçës. Edhe nxënësit me aftësi të kufizuara do të zhvillojnë testimet në përshtatje me veçoritë e tyre shëndetësor.

Provimet

Në rregulloren e miratuar më herët nga MASR përcaktohet se provimet e lirimit do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin për dy orë e gjysmë. Për të mos rrezikuar përjashtimin, ditën e testimit nxënësi duhet të paraqitet në qendrën e përcaktuar një orë e 30 minuta para orarit zyrtar, si dhe duhet të kenë dokumentin e identifikimi. Në mungesë të këtyre dokumenteve, rrezikohet edhe hyrja në provimin përkatës. Për të orientuar nxënësit në lidhje me temat që do të jenë pjesë e testit kombëtar të arsimit bazë, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka zbardhur tashmë edhe programet orientuese për secilën lëndë. Në lidhje me provimin e gjuhës shqipe, ekspertët e arsimit bëjnë me dije se teza e provimit do jetë e strukturuar në tre pjesë. Pjesa e parë do ketë pyetje rreth një fragmenti letrar, pjesa e dyte pyetje rreth një fragmenti joletrar, si dhe pjesa e tretë do të ketë pyetjet rreth njohurive të sistemit gjuhësor. Fragmentet ose tekstet në test janë të panjohura për nxënësit dhe nuk janë pjesë e teksteve të punuara në klasë.

Gjuha e huaj

Ndërsa testi i gjuhës së huaj do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar. Në këto kushte, testi do të jetë i nivelit gjuhësor A2. Po ashtu edhe nxënësit e klasave të 9-ta, të seksioneve dygjuhëshe italiane, gjermane dhe franceze, japin provimi gjuhën përkatëse të seksionit të tyre, testi i të cilës do të jetë në nivelin gjuhësor A2.

Matematika

Programi orientues për testin e matematikës përcakton se teza finale që do të plotësojnë nxënësit do jetë e orientuar rreth pesë tematikave. Konkretisht këto tematika janë: njohuritë rreth numrit që do ketë 37 për qind të ndikimit në numrin e pyetjeve të testit, matja me 14 për qind të ndikimit, gjeometria me 16 për qind të ndikimit, algjebra dhe funksioni me 13 për qind të ndikimit, si dhe statistika dhe probabiliteti me 13 për qind të peshës në pyetjet e testit final të matematikës.

Skema e korrigjimit

Sipas skemës së miratuar, vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat më pas konvertohen në notë. Çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, ku dy mësues të lëndës do të bëjnë vlerësimin e të njëjtit test në mënyrë të pavarur njeri-tjetri. Testet do të mblidhen dhe do të korrigjohen në qendrat e vlerësimit të njësive arsimore vendore të çdo rrethi. Pas marrjes së vlerësimeve, nxënësve u lejohet që të kërkojnë edhe kopjen e korrigjuar të testit. “Kështu,nxënësit do të kenë mundësi të shohin edhe testet e vlerësuara të provimit të matematikës, gjuhës së huaj, si dhe gjuhës shqipe. Tërheqja e testeve të korrigjuara do të bëhet e mundur jo më vonë se pesë ditë nga marrja e vlerësimit, duke dorëzuar kërkesën përkatëse pranë Komisionit të Provimeve Kombëtare të Arsimit Bazë”, bëjnë me dije ekspertët e arsimit.

Datat e provimeve:

Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet me 13 qershor.

Provimi i gjuhës amtare për pakicat kombëtare jepet në 14 qershor.

Provimi mi gjuhës shqipe do të zhvillohet në 18 qershor.

Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 21 qershor.