Trajneri i ri i kushton 600 mijë euro Kombëtares, Reja të mërkurën në Tiranë (detajet e kontratës)

Trajneri i ri i kushton 600 mijë euro Kombëtares, Reja të mërkurën në Tiranë (detajet e kontratës)
Ish- trajneri i njohur i disa ekipeve italiane të Seria A, si Atalanta, Lazio dhe Napoli, është në pritje të zyrtarizimit për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare të futbollit.

Takimi vendimtar për zyrtarizimin e tij do të zhvillohet në Tiranë, këtë të mërkurë. Nuk ka ndonjë dyshim për firmën e Edy Reja, teksa tradita e trajnerëve italianë do të vazhdojë.

Ashtu siç ishte parashikuar, Edoardo Reja do të jetë trajneri i Kombëtares së Shqipërisë. Të mërkurën në Tiranë do të përcaktohen detajet e fundit, lidhur për kohëzgjatjen e marrëveshjes: federata shqiptare dëshironte një kontratë dyvjeçare me Reja, me të drejtë rinovimi edhe për një vit, pra edhe për kualifikueset e Kupës së Botës, 2022. Por trajneri dëshironte fillimisht kontratën për një vit, për të mbyllur kualifikueset Euro 2020, (nëntor) dhe në rast kualfikimi, rinovimi mbetet opsion i hapur. në të kundërt Reja do të qëndrojë edhe disa muaj, për të parë projektin e ri që do të prezantohet, si shorti i Botërorit, pasi nuk mund të marrë përsipër ndonjë objektiv pa njohur ekipin që do të drejtojë dhe kundërshtarët që do të ketë.

Gjithsesi, Reja ka pranuar që të drejtojë për të paktën një vit Shqipërinë. Në stolin kuqezi ai vjen me objektiv kualifikimin në Euro 2020, por në kontratë nuk do të ketë penalizim në rast se ky objektiv nuk arrihet. Kuqezinjtë  e drejtuar prej tij mjafton të mos zhgënjejnë dhe të lënë pas të paktën një nga kundërshtarët e tjerë të grupit, përveç Francës, që janë Islanda ose Turqia.  Kostoja financiare e kontratës së Reja parashikohet të shkojë në 600 mijë euro (40-50 mijë euro paga mujore e stafit). Rreth 50 mijë euro FSHF-së i duhet të paguajë për të zgjedhur kontratën e ndihmësit të tij.

Gjithsesi, dinastia italiane vazhdon në stolin e kombëtares shqiptare pas Gianni De Biasi dhe Christian Panucci. Reja, i cili ka qenë në Shqipëri gjatë humbjes së Shqipërisë me Turqinë në ndeshjen e parë kualifikuese Euro 2020, pas dy takimeve të tjera me presidentin Armand Duka ku edhe finalizoi marrëveshjen, këto ditë është marrë me stafin, që do ta shoqërojë në këtë aventurë të re. Ndihmës i tij do të jetë Alessandro Calori, por ai ende nuk e ka zgjidhur kontratën me ekipin e Ternana, ndërsa Reja pret që të gjendet një marrëveshje ekonomike, çka do t’i afrohet nga FSHF për të pasur edhe njeriun që ai dëshiron në stolin kuqezi.

Trajneri veteran, 73-vjeç, pas zyrtarizimit dhe prezantimit, do të debutojë në një ndeshje zyrtare me Shqipërinë, më 7 qershor ndaj Islandës dhe më tej me Moldavinë, në Tiranë.

Shqipëria humbi 2-0 me Turqinë në ndeshjen e parë, dhe pas shkarkimit të Panucci, me një staf provizor trajnerësh shqiptar fitoi 3-0 në ndeshjen e dytë ndaj Andorrës.