Sot, Maqedonia e Veriut voton për presidentin e ri

Sot, Maqedonia e Veriut voton për presidentin e ri
 

Maqedonia e Veriut zhvillon sot raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, në procesin e parë zgjedhor që mbahen nën emrin e ri të vendit, i cili gjithsesi përballet me probleme afatgjata ekonomike, nepotizëm dhe korrupsion.

Votimi për postin kryesisht ceremonial vjen më pak se 3 muaj pasi marrëveshja historike me Athinën për ndryshimin e emrit hyri në fuqi, duke i dhënë kështu fund një ngërçi disadekadësh identiteti mes vendeve fqinje.

Mosmarrëveshja lindi pikërisht në momentin e mëvetësisë së vendit nga Jugosllavia në vitin 1991, kur deklaroi se do të quhej Maqedoni përkundër kundërshtive të Greqisë, e cila ka gjithashtu një rajon të sajin verior me të njëjtin emër.

Kryeministri Zoran Zaev dhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras, arritën qershorin e kaluar një marrëveshje për t’i shtuar “e Veriut” emrit të Maqedonisë, duke i dhënë fund kështu grindjes 27-vjeçare. Marrëveshja u finalizua në janar, pas një beteje të gjatë politike dhe opozitarizmit të ashpër të nacionalistëve në të dyja anët e kufirit.

Në këmbim të ndryshimit të emrit, Athina deklaroi se nuk do të pengonte më Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për integrim euroatlatik, pra për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Europian.

E ndërsa udhëheqësit europianë festuan marrëveshjen e emrit, njerëzit e zakonshëm atje nuk e shfaqin kaq hapur entuziazmin e tyre. Shkupi shpreson të nisë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian këtë qershor, por analistët thonë se elektorati prej 1.8 milionë banorësh i vendit është më shumë i shqetësuar për problemet e të ushqyerit.