Romina Aliaj: Më fle shpirti në muzikën tradicionale shqiptare

Romina Aliaj: Më fle shpirti në muzikën tradicionale shqiptare
Flet këngëtarja e muzikës qytetare të jugut, Romina Aliaj: “Unë kam lindur në qytetin e bukur të Vlorës, ku kam jetuar deri në moshën 17- vjeçare. Babi im, edhe pse me profesion ishte oficer, kishte një pasion shumë te madh për artin dhe më ndihmonte për çdo gjë që të ecja përpara. Ai ka bërë një libër me poezi dhe shumë shpejt do ta botojë. Mami ka qenë suporti im në çdo moment gëzimi apo pengese. Vëllai, Albani ka mbaruar studimet në Firence për trombon kurse motra ime e vogël, Ana, ka studiuar flaut. Domethënë ka qenë një angazhim familjar kjo puna ime ha ha ha.”

***

Tashmë është bërë traditë që në Albanian Free Press, më është dhënë mundësia të kem një hapësirë edhe për talentet e reja, veçanërisht në muzikën popullore qytetare. Ndaj intervista me Rominën, bukuroshen e talentuar nga Vlora, është një gur i çmuar më shumë, në mesin e atyre artistëve të rinj që me punë e këmbëngulje, ruajnë traditën dhe folklorin shqiptar në kohë të vështira turbullirash e huazimesh. Ky rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press i Romina Aliaj na zbulon edhe një tipar fin të karakterit të saj, një vajzë me talent por edhe me humor e autoironi.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Si kanë qenë fillimet tuaja si këngëtare?

 

Së pari ju falenderoj shumë për ftesën dhe ju uroj suksese në punën tuaj!

Pasioni për këngën ka filluar që në vegjëli e më pas, në shkollën 8-vjeçare "Lef Sallata" në Vlorë, ku jam vlerësuar edhe me çmime të para. Më pas kam vazhduar për kanto liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë me profesoreshë Afërdita Zonja. Ndërkohë realizova albumin tim të parë me titull "Nina moj Labike" me kompozitorin e mirënjohur Adi Hila.

E kujtoni herën e parë në skenë, si i përjetuat ato emocione?

Po, më kujtohet, kam qenë në klasën e 8-të ku u vlerësova me çmim të parë dhe nga lumturia e emocionet që përjetova u preka shumë dhe derdha lot...

Lexuesit tanë janë kuriozë të dinë më shumë rreth origjinës tuaj, familjes tuaj. A ju ka mbështetur ajo në pasionin për këngën?

Unë kam lindur në qytetin e bukur të Vlorës, ku kam jetuar deri në moshën 17- vjeçare. Babi im, edhe pse me profesion ishte oficer, kishte një pasion shumë te madh për artin dhe më ndihmonte për çdo gjë që të ecja përpara. Ai ka bërë një libër me poezi dhe shumë shpejt do ta botojë. Mami ka qenë suporti im në çdo moment gëzimi apo pengese. Vëllai, Albani ka mbaruar studimet në Firence për trombon kurse motra ime e vogël, Ana, ka studiuar flaut. Domethënë ka qenë një angazhim familjar kjo puna ime ha ha ha.

Familja ka qenë dhe është mbështetja kryesore për mua.

Ju jeni një vajzë jugu. Sa keni brenda artit tuaj nga ajo traditë shqiptare?

Patjetër që kam atë laben brenda vetes. Muzika që unë interpretoj është pikërisht tradita shqiptare e jugut. E bëj me gjithë shpirt!

Jeta juaj është nëpër koncerte. Por ku është vendi juaj më i dashur?

Jam nga Vlora o vëlla ha ha ha (në këtë rast moj motër) ha ha ha.

Sa rëndësi ka përzgjedhja e bashkëpunëtorëve, për ju?

 

Në fakt kjo është shumë e rëndësishme për një artist dhe unë mundohem të zgjedh më të mirët në tregun muzikor, sot për sot !

Në videoklipe por edhe në jetën e përditshme ju dukeni shumë elegante dhe e kuruar. Sa kohë e vëmendje i kushtoni pamjes së jashtme?

Faleminderit për komplimentin ! Në jetën e përditshme jam më e thjeshtë dhe nuk vë shpesh make-up , mundohem të jetoj shëndetshëm. Në përgjithësi i kushtoj vëmendje jo vetëm look-ut por edhe trajtimeve bio dhe mirëmbajtjes që i bëj fytyrës.

Kënga qytetare është në kurorën e folklorit shqiptar. Mendoni se duhet ruajtur edhe ajo nga ndërhyrjet e ballkanizmave dhe rrymave nga jashtë?

Unë mendoj se duhet ruajtur me fanatizëm folklori shqiptar sepse rrymat ballkanike transformojnë identitetin tonë! Personalisht mua më fle shpirti ne muzikën tradicionale shqiptare!

Stina që lamë pas, me çfarë bilancesh u mbyll për ju?

 

Mirë le të themi. Stina që lamë pas u mbyll me dy videoklipe të realizuara më së miri nga Max Production dhe disa koncerte në Amerikë.

Na rrëfeni një pikë të fortë dhe një dobësi tuajën...

Pikë të fortë kam besimin në vetvete dhe dobësi nuk kam ha ha ha.

Keni ndërtuar miqësi në art apo edhe ndodh të hasni në xhelozi ose konkurrencë?

Unë jam natyrë shumë e dashur dhe e drejtë. Preferoj të kem miqësi sepse çdokush ka fatin e tij në karrierë e kudo!  Por xhelozinë  e të tjerëve nuk e shmang dot  kështu që mundohemi të jetojmë bashkë me të.

Jashtë skenës dhe këngës, cilat janë pasionet tuaja? Si e kaloni ju kohën e lirë?

 

Me thënë të drejtën shooping më heq stresin ha ha ha. Pasion kam udhëtimet, më pëlqen të shoh sa më shumë vende të reja. Kohën e lirë e kaloj duke studiuar këngë për repertorin tim, duke menduar për projektet e radhës dhe mundohem të bëj ecje nga liqeni sa më shumë, pavarësisht se ndonjë herë ngelet në tentativë, se më zë gjumi ha ha ha.

Jeni një femër shqiptare. Keni ju një mesazh për vajzat shqiptare që kanë pasion këngën popullore?

 

Ka vajza të reja shumë të talentuara. Mesazhi im për to është të jenë sa më origjinale dhe të përcjellin sa më shumë emocion në atë që bëjnë, sepse arti pa emocion nuk quhet ART!

Ka pak javë që ka dalë në tregun muzikor kënga juaj më e fundit “Paske lotët gurë gurë”.. Deri tani si është pritur ajo?

Kënga është pëlqyer shumë dhe kam pasur oferta te shumta për koncerte.Jam duke përzgjedhur !

Cilat janë planet tuaja në këngë për verën që po afron?

Deri tani jam fokusuar tek muzika tradicionale e jugut. Jam duke punuar për dy projekte që do vijnë së shpejti. Njërin nga projektet kam menduar të jetë i zhanrit modern, të cilin dua ta lë surprizë për publikun. Kënga tjetër është me motive popullore jugu, dedikim për vendlindjen time, Vlorën.