Rikthimi i vizave nga Holanda, KE: Nuk kemi marrë njoftim nga asnjë shtet anëtar

Rikthimi i vizave nga Holanda, KE: Nuk kemi marrë njoftim nga asnjë shtet anëtar
Komisioni Evropian ende nuk ka njoftim zyrtar nga Holanda për vendimin e fundit të parlamentit të saj mbi rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë. Këtë e ka bërë të ditur dje zëdhënësja e këtij institucioni të lartë evropian, Natasha Bertaud, teksa ka reaguar rreth vendimit në fjalë.

“Komisioni është i vetëdijshëm rreth mocionit që kaloi në Kuvendin e Holandës gjatë ditës së pardjeshme, por ekziston një procedurë specifike për mekanizmin e rikthimit të vizave dhe deri më sot nuk kemi marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtar që kërkon mekanizmin e pezullimit të vizave për cilindo nga vendet që përfitojnë nga udhëtimi pa viza “, tha Bertaud.

Ndërkaq, menjëherë pas vendimit të parlamentit për të hequr regjimin e lëvizjes pa viza ndaj shqiptarëve, qeveria e Holandës tha se gjithsesi, për momentin nuk ka ndryshime në politikat e vizave.

“Po shohim cilat hapa do të ndërmarrim. Për momentin, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë. Të gjithë nënshtetasit shqiptarë mbajtës të një pasaporte biometrike  mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe 180 ditësh”, thuhej saktësisht në njoftimin e qeverisë holandeze, lidhur me një situatë të tillë.