Reja vjen si “kopje” e De Biasit, për të fshirë “gjurmët” e Panucci-t

Reja vjen si “kopje” e De Biasit, për të fshirë “gjurmët” e Panucci-t
Euro 2020/ Sot zyrtarizimi i trajnerit të ri. Marrëveshja për një vit në stolin kuqezi është arritur me trajnerin veteran, i cili ndoqi kuqezinjtë në ndeshjen e Seria A, Atalanta-Empoli

Nga Aranit Muraçi

Nuk ka thuajse asnjë dyshim për marrëveshjen e arritur mes FSHF-së dhe trajnerit të ri italian, veteranit në moshë, Edy Reja, teksa ai pret të zyrtarizohet sot në stolin e Kombëtares shqiptare.

Armand Duka dhe Edy Reja, pas dy takimeve të deritanishme, kanë arritur akordin financiar për një vit kontratë me të drejtë rinovimi, kjo bazuar në suksesin e mundshëm, pasi është përcaktuar objektivi që duhet të arrijë trajneri italian, në ndeshjet e mbetura kualifikuese Euro 2020.

Takimi

Në takimin e planifikuar sot në Tiranë, mbetet të diskutohet stafi që do të sjellë Reja në Shqipëri, pasi i propozuari prej tij, Alesandro Calori, ende nuk e ka zgjidhur kontratën financiare me Ternana.

Në kushte financiare, 40 mijë euro në muaj do të përfitojë Reja bashkë me stafin. Në rast kualifikimi, kësaj shifre do t’i shtohet edhe një bonos 100 mijë euro, në formë shpërblimi. Shqipëria ndodhet në të njëjtin grup me Francën, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe Andorrën dhe nëse nuk arrin kualifikimin, ka si objektiv të pozicionohet e treta. Në të kundërt, Reja e mbyll aventurën pas një viti.

Kontrata

Tekniku italian dëshironte një kontratë për një vit e gjysmë, deri në fund të finaleve Euro 2020, pavarësisht kualifikimit, ndërkohë që drejtuesit e FSHF-së i propozuan fillimisht një kontratë deri në fund të kualifikueseve Euro 2020, me të drejtë rinovimi.

Ose një kontratë deri në fund të kualifikueseve të Kupës së Botës “Katar 2022”, por të jepte garanci për kualifikim.

Gjithsesi, është gjetur një rrugë e mesme për marrëveshjen, kontrata 1-vjeçare, çka e bën Reja të jetë trajneri i tretë italian i Shqipërisë, pas Gianni De Biasi, i cili udhëhoqi skuadrën kuqezi në kualifikimin historik të Euro 2016.

Dhe ai vjen për një sukses të ngjashëm, që kuqezinjtë të lënë pas zhgënjimet e fundit, nën drejtimin e Christian Panucci. Trajneri veteran në tetor mbush 74-vjeç, ndërkohë para tij, Kombëtaren e drejtoi Panucci, i cili u shkarkua në ndeshjen e parë kualifikuese Euro 2020, në humbjen 2-0 me Turqinë.

Në atë humbje, në Shkodër ishte i pranishëm edhe Reja, pas së cilës hyri në bisedime me FSHF-në.

Ndërkohë që ndeshjen e dytë që fituan 3-0 kundër Andorrës, kuqezinjtë i drejtoi Sulejman Mema dhe Ervin Bulku. Reja kthehet në stol gati tre vite pas aventurës së tij të fundit, me Atalanta.

Ai ka drejtuar një sërë ekipesh italiane, në karrierën e gjatë gati 40-vjeçare, ku spikasin ato të dekadës së fundit, Napoli e Lazio. Reja pret debutimin zyrtar ndaj Islandës më 7 qershor, e treta për kualifikueset Euro 2020.

 

Empoli-Atalanta Reja ndjek kuqezinjtë në Bergamo

Trajneri i ri i Kombëtares kuqezi, Edy Reja, ndoqi në Bergamo nga afër ndeshjen e Seria A mes Empolit dhe Atalanta-s, 0-0, në radhët e së cilave bëjnë pjesë tre futbollistë të Kombëtares shqiptare. Empoli, skuadra ku luante titullar lojtari i përfaqësueses shqiptare Frederic Veseli, barazoi 0-0 me Atalanta, në transfertë.

Mbrojtësi kuqezi bëri një paraqitje të mirë, ndërsa Empoli mori një pikë të rëndësishme që mban gjallë shpresat e mbijetesës.

Në këtë ndeshje portieri Etrit Berisha ishte sërish në stol tek Atalanta, ashtu sikurse edhe mbrojtësi Berat Gjimshiti. Reja ka gjithashtu njohje edhe me emra të tjerë kuqezi, që luajnë në Itali, si Elseid Hysaj, Thomas Strakosha etj.