Rama: Ligji për mediat online, së shpejti në Kuvend

Rama: Ligji për mediat online, së shpejti në Kuvend
Kryeministri nuk tha nëse ky projektligj do të konsultohet dhe me vetë mediat online. Kurse aludoi se po merret dakordësia e OSBE. Gazeta “Albanian Free Press” pyeti zyrën e OSBE në Tiranë dhe zyrtarë të saj thanë se nuk kanë marrë derimë sot një draft. Kurse shtuan se të enjten, një draft i ka shkuar në Vjenë të Austrisë, zyrës për Lirinë e Medias së OSBE

Kryeministri Edi Rama tha dje në Parlament se së shpejti do të kalojë për miratim ligjin për mediat online, duke e konsideruar atë si një ligj kundër shpifjes. Rama pohoi se drafti është përgatitur nga qeveria dhe ka shkuar tek OSBE për të marrë një opinion edhe prej tyre. Ndërsa nuk tha nëse ky draft do t’i shpërndahet ndonëherë vetë mediave online për të cilat po bëhet, para se të kalojë për votim nga mazhoranca në Kuvend.

“Do të vijmë shumë shpejt me ligjin kundër shpifjes dhe për të rregulluar të gjithë aktivitetin e mediave online. Nuk mundet dot të vazhdojmë të jemi mish për top i kujtdo që i teket të shpifë, të sajojë, të na futet nëpër shtëpira e të sakatojë të madh e të vogël në emër të lirisë. Këtu do të vijmë shumë shpejt, e kemi premtuar”, - tha z.Rama, duke shtuar se “kemi punuar ngushtësisht dhe me OSBE-në”.

Gazeta “Albanian Free Press” pyeti zyrën e OSBE në Tiranë dhe zyrtarë të saj thanë se nuk kanë marrë derimë sot një draft. Kurse shtuan se të enjten, një draft i ka shkuar në Vjenë të Austrisë, zyrës për Lirinë e Medias së OSBE.

Duke vijuar me deklarimin se drafti po konsultohet me OSBE, z.Rama shtoi: “Me një draft të dakordësuar me OSBE-në do të vijmë në Parlament e do të kërkojmë që të shtrëngohet qartë me ligj rrethi i atyre që e kanë kthyer botën mediatike në llum dhe që e bëjnë të pamundur për njerëzit që të ndajnë kush informon e kush sajon. Kush i shërben publikut e kush i thith gjakun individëve dhe një opinioni të tërë publik”.